Mesfushori Edon Zhegrova është ftuar të përfaqësojë ekipin U-21 të Shqipërisë. Këtë e ka bërë të ditur të hënën për gazetën futbollisti i skuadrës belge, Genk.

18-vjeçari u ftua pas paraqitjeve të mira këtë edicion në kampionatin e Belgjikës. Ai në fundjavë shënoi golin e parë me fanellën e Genkut, shkruan sot “Koha Ditore”. Në pesë paraqitje ka kontribuar edhe me një asistim.

“Kam marrë ftesë ta përfaqësojë Kombëtaren U-21 të Shqipërisë”, ka treguar Zhegrova, duke shtuar se nga Kosova askush nuk e ka kontaktuar deri më tash.

“Unë jam i gatshëm të jap kontributin tim për të dyja kombëtaret”. Ndryshe nga Zhegrova, i pavendosur është sulmuesi Shkëlqim Demhasaj, i cili është një nga emrat e rinj që pritet të ftohet nga seleksionuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci.

Kështu kanë njoftuar mediumet në Shqipëri të hënën. Sulmuesi i Luzernit, që garon në elitën e futbollit të Zvicrës, ka thënë të hënën për gazetën se ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e tij. 21-vjeçari me Luzernin këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuar me një asistim në 15 paraqitje. Dy gola ka shënuar edhe në katër ndeshje të Kupës së Zvicrës. Ai dy ndeshje i ka edhe për ekipin U-20 të Zvicrës.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt dhe nuk e di nga e kanë marrë këtë lajm. Unë ende asgjë nuk kam vendosur”, ka thënë Demhasaj, duke iu referuar lajmit në mediat e Shqipërisë se do të ftohet nga Panucci.

Artikulli paraprakBoston bie nga skuadra e madhe Bulls, Warriors dhe Rockets shkëlqejnë
Artikulli tjetërRaiola dëshiron të anuloj kontratën e Donnarummas