Rio 2016 ishte një Olimpiadë si rallë të tjera, që rezervoi mjaft befasi dhe triumfet e para për disa shtete. Në krye të listës qëndron Kosova, me medaljen e parë olimpike në histori, arin e fituar nga Majlinda Kelmendi në xhudo. Emocionet dhe lotët ishin të kuptueshëm, për një rezultat fantastik që e shndërroi Kosovën në realitetin e bukur të evenimentit në Brazil.

Për herë të parë, medalje të artë fitoi edhe Vietnami, falë Hoang Xuan Vinh në pistoletë me ajër në distancën 10 metra. Gjithashtu, Brazili organizator theu një tabu, duke triumfuar për herë të parë në turneun e futbollit.

Porto Riko fitoi medaljen e parë të artë me tenisten Monica Puig, ndërsa Simone Manuel u shndërrua në afroamerikanen e parë që fiton në not, pas triumfit në 100 metra stil i lirë. Një përallë ajo e Fixhit, që fitoi turneun e regbit me 7 lojtarë, ndërsa Brazili siguroi medaljen e parë të artë nga favelat, lagjet periferike dhe të varfëra, falë xhudokës Rafaela Silva.

Rio 2016 solli edhe podiumin e parë të Iranit në Olimpiadë me bronzin e Kimia Alizadeh Zenoorin në taekwondo, si edhe medaljen e parë të artë të Singaporit me Schooling, që në stilin e 100 metrave flutur mposhti legjendën e notit, Michael Phelps, që është njëkohësisht edhe idhulli i tij.

Të shumta edhe historitë interesante, të bukura por edhe prekëse. Ashtu si Hamblin e D’Agostino, që u penguan në garën e 5,000 metrave, u dëmtuan dhe në fund ndihmuan njëra-tjetrën të arrinin në finisht. Një episod që i përloti të gjithë në Rio ishte në momentin e medaljeve për hedhjet nga trampolina, ku kinezja He Zi mori propozimin për martesë nga i fejuari.

Në fund ishin edhe historitë më pak të bukura, mbi të gjitha ajo e notarëve amerikanë me Lochte në krye, që denoncuan një grabitje. Ngjarja jo vetëm nuk kishte ndodhur, por në fakt ishin notarët amerikanë ata që shkatërruan një pikë karburanti.

Ngjarje të rëndësishme personale, arritje të mëdha për kombe në skenën më të madhe që ekziston. Olimpiada në Rio ishte thjesht e mrekullueshme.

 

Raporti: Supersport.al

Artikulli paraprakKush e shënoi golin e parë në vitin 2016 në Juventus Stadium
Artikulli tjetërMedaljet e Rio 2016: SHBA e para, bie Kina