Kosova do të shpëtojë pa u koritur në arenën ndërkombëtare dhe pa u dënuar nga FIBA. Kjo pasi institucionet kosovare kanë vendosur që me urgjencë ta rinovojnë sallën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë në mënyrë që ajo t’i përmbushë kriteret për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, të cilat “Dardanët” do t’i nisin më 24 nëntor ndaj Lituanisë

Autoritetet kosovare janë mobilizuar për t’iu shmangur turpërimit të vendit tonë para FIBA-s në arenën ndërkombëtare, shkruan sot gazeta Zëri.

Pavarësisht vonesës së madhe, institucionet relevante të Kosovës me urgjencë do ta nisin procesin e rinovimit të sallës së vogël të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë në mënyrë që ajo të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në kampanjën kualifikuese për botërorin “Kina 2019”, të cilën “Dardanët” do ta nisin më 24 nëntor me ndeshjen si vendas ndaj Lituanisë.

Në fakt, FIBA qysh më moti i ka dhënë rekomandimet e veta se çfarë kriteresh duhet t’i përmbushë palestra kosovare dhe kishte kërkuar që punimet të përfundonin deri më 2 nëntor.

Por, deri më tani pala kosovare nuk e ka vënë asnjë gozhdë në këtë palestër duke e vënë Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) para një turpi ndërkombëtar e po ashtu duke i shkaktuar rrezik për dënime të ashpra nga FIBA.

Kjo e fundit ka paralajmëruar se më 20 nëntor do ta dërgojë një inspektor të saj për ta vlerësuar “shtëpinë” e përfaqësueses kosovare, e cila megjithatë deri atëherë pritet të ndryshojë për të mirë. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, i cili ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të nisin punimet në procesin e rregullimit të sallës së vogël të pallatit më të madh sportiv në vend.

“Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese të botërorit ‘Kina 2019’ në basketboll në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Javën që vjen fillojnë punimet në vendosjen e tribunave teleskopike dhe ulëseve për plotësimin e standardeve FIBA me 2.800 ulëse”, ka theksuar Alaj.

FIBA ia pati bërë me dije FBK-së se për t’i përmbushur kriteret minimale për ndeshje kualifikuese të Botërorit në sallën e vogël të Pallatit të Pishinës duhet të shtoheshin edhe rreth 700 ulëse, në mënyrë që salla ta arrinte kapacitetin prej 2.813 ulëseve.

Po ashtu FIBA kishte kërkuar edhe përmirësimin e ndriçimit, duke theksuar se kërkesat e saj për Kosovën ishin minimale.

Punimet besohet se do të kryhen me një investim prej rreth 200 mijë eurosh. Basketbolli kosovar i ka punët keq me infrastrukturën sportive.

Meqenëse Kosova vetëm sa ishte pranuar në FIBA, kjo e fundit është treguar tolerante me kosovarët, të cilëve u kishte dhënë vërejtje dhe sugjerime për ta bërë një palestër që i përmbush kriteret për lojë ndërkombëtare, në të kundërtën tolerancës shihej se po i vinte fundi.

Kosova e ka siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e botërorit “Kina 2018” përmes parakualifikimeve.

“Dardanët” do të garojnë në grup me Poloninë, Lituaninë e Hungarinë. Të tria këto kombëtare janë më të forta se Kosova, por vlerësohet si grupi më i favorshëm për ekipin tonë. /Zëri/

Artikulli paraprakRamadani: Isha në stërvitje kur më erdhi ftesa nga Panucci
Artikulli tjetërLladrovci prezanton zonën për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar