Futbollistët e Kosovës janë angazhuar, por janë larguar duarthatë nga “Arena Nationala” në Bukuresht të Rumanisë. Të martën mbrëma, Kosova pësoi 2:0 nga Rumania në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”.

Ndeshja ishte me shumë zhvillime, ndërsa përfundoi me festë të përfaqësueses vendase.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 18-të kur një grup huliganësh rumunë në stadium shfaqi panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja më pas nuk ka vazhduar për plot 50 minuta.

Por ngjarjet e pazakonta nuk u ndalën. Në minutën e 42-të, Vedat Muriqi u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë. Të dy kartonat i mori për goditje me bërryl.

Në pjesën e parë “Dardanët” rezistuan, duke mbajtur rezultatin 0:0. Por mungesa e një lojtari u vërejt në pjesën e dytë.

Rumunët ishin vazhdimisht në sulm dhe në fund i realizuan dy gola. Fillimisht Rumania humbi penallti në minutën e 59-të. Penalltinë e shkaktoi Amir Rrahmani pas gabimit të Bernard Berishës. Nga pika e bardhë gjuajti Nicolae Stanciu, por Aro Muriq intervenoi me sukses.

Muriq megjithatë u mposht në minutën e 83-të. Për 1:0 shënoi pikërisht Stanciu. Golin e dytë për vendasit e shënoi Valentin Mihaila në minutën e 93-të. Më parë rast të mirë lëshoi Florian Loshaj, goditjen e të cilit e ndali portieri rumun.

Kosova mbetet e parafundit me vetëm katër pikë. Është thuajse pa gjasa për kualifikim. Rumania është e dyta me 12 pikë.

Artikulli paraprakInter-Milan, golat e këndshëm që vendosën derbin Madonnina
Artikulli tjetërGliha: “Kartoni i kuq përcaktues në humbje”