Dy institucione dhe dy standarte të ndryshme. Çështja e parullave dhe koreve me përmbajtje politike, të tifozëve serbë në ndeshjen Partizani i Beogradit-Skënderbeu, mund të shkaktojë një përplasje mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror, FIFA dhe UEFA.

“Kosova është Serbi” ishte shprehja më e dëgjuar në shkallët e stadiumit të Beogradit, gjatë ndeshjes së luajtur pak ditë më parë në kryeqytetin serb dhe sipas zyrtarëve të skuadrës së Partizanit, ishte vetë UEFA që nuk kishte shfaqur kundërshti për parrulla të tilla. Sipas tyre, mjaftonte që tifozët të mos përmendnin emrin shqiptar.

Një qëndrim deri diku me doza racizmi, pasi në këtë rast u bë një dallim i madh mes një shteti dhe një shteti tjetër dhe në këtë rast u lejua që Kosova të përfshihej në koret ofensive të tifozëve vendas.

Por një vendim i orëve të fundit, i marrë nga FIFA, kundërshton gjithë këtë logjikë të përdorur nga UEFA, që gjithsesi nuk ka dalë ende me një vendim për këtë problematikë. FIFA ka gjobitur me 160 mijë franga zvicerane Federatën Serbe të Futbollit, pikërisht për koret dhe banerat e tifozëve serbë në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018 kundër Austrisë dhe Gjeorgjisë.

“Banera me përmbajtje politike dhe diskriminuese”, shkruan FIFA në vendimin e zbardhur, që i adresohet pikërisht shprehjes “Kosova është Serbi”. Një standard i vendosur nga FIFA, që prej shumë vjetësh dhe në rast se UEFA nuk mban të njëjtin qëndrim ndaj Partizanit të Beogradit, atëherë përplasja mes institucioneve mund të jetë e paevitueshme, madje edhe më e rëndë, konfliktuale, pasi në këtë rast faktet janë bërë publike tashmë dhe fjalën e fundit duhet ta thotë selia me qendër në Nyon.

/Supersport.al

Artikulli paraprakNga Schick te Andre Silva, këta janë dhjetë sulmuesit e dështuar të këtij sezoni në Serie A
Artikulli tjetërJoao Mario: Po, mund të largohem nga Interi nëse s’luaj!