Zhurma lidhur me futbollistët kosovarë që do e braktisin kombëtaren e Shqipërisë, më së miri e pasqyron mosguximin tonë që të debatojmë për mungesën e lidhjeve institucionale ndërshqiptare, si dhe pasqyron të vërtetën se jemi bërë popull të cilin e lidh vetëm “tallava” muzika dhe futbolli! Dhe sigurisht që do grindemi rreth futbollistëve, se mos vallë kemi ndonjë projekt tjetër mbarëkombëtarë me të cilin mund të mburremi dhe, mos vallë kemi ndonjë strategji mbarëshqiptare për të ardhmen tonë!?

Pra ne do grindemi rreth futbollistëve tanë ngaqë prej moti jemi bërë si popull që nuk ka shtet amë! Është e turpshme dhe e padrejtë t’i quash tradhtarë ata që nuk janë ‘prodhim’ i shoqërive shqiptare, ata që më ndershëm se shumëkush nga ne, kanë paguar ‘taksën’ e shqiptarisë, edhe pse shqiptaria i ka lënë pa vendlindjen e të parëve të tyre dhe nuk u ka dhënë thuajse asgjë, përpos emrit! Dhe ne i quajmë ata të tillë ngaqë nuk guxojmë të merremi me ‘plehun’ politik që e prodhuam edhe ne ‘opinionbërësit’ e famshëm, edhe ne që ushqehemi nga po i njëjti grazhd ku majmen elitat politike që e copëtuan shqiptarinë në aq “principata”, sa ka edhe parti politike, pra edhe ne që e ndihmuam copëzimin e çdo gjëje shqiptare dhe që e ndihmuam bashkimin e trojeve shqiptare, por vetëm nëpërmjet nëntokës politike dhe krimit! Dhe tani do del puna se bashkimi i popullit tonë është në duart e futbollistëve, se futbollistët kosovarë janë ata që i kanë ndarë shqiptarët të jetojnë në pesë shtete të Ballkanit, se ata e kanë tradhtuar dhe përçarë tërësinë shqiptare, e jo ne që edhe patriotizmin e matim me thellësinë e xhepit tonë, jo pra ne që mbajmë ora të shtrenjta thuajse jemi futbollist, ne ‘mendimtarët e pavarur’, që nuk e mbajmë për kriminel hajnin e partisë që e vjedh popullin, për të na dhënë edhe neve, por vetëm hajdutin e partisë së ‘tyre’, që na plaçkit neve, për t’u dhënë të vetëve! Dhe do del kështu ngaqë në krenarinë që na e rikthyen çunat e Kombëtares tonë, neve na pasqyrohet edhe kontributi që dhamë për t’i mbajtur gjallë elitat politike të cilat “Shqipëritë” tona i bënë të pabanueshme për rininë shqiptare, përfshi edhe të rinjtë që duan të lozin futboll! Andaj do e përsërisë; kjo zhurmë është e turpshme dhe nëse e vëreni, më të zëshëm janë ata që deri në vitet e nëntëdhjeta, as që e dinin se ka shqiptarë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë! Patriotizmin dhe atdhetarinë i kam kuptuar si garë me vetveten, e jo me cilindo shqiptar tjetër, por kësaj radhe nuk mund të mos e them se më villet kur dëgjoj se kush janë ata që futbollistët kosovarë, si dhe neve këtej kufirit, na quajnë tradhtarë dhe racë të poshtër: ata që as e kanë ditur dhe as do e kuptojnë ndonjëherë se si mbrohet shqiptaria në shtete ku, vetë të qenurit shqiptar, të bënë më të pambrojtur se sa ariun e maleve! Por kot e ke t’u thuash çka do qoftë atyre që debatojnë vetëm sa për ta mbuluar të vërtetën se, po të mos ishin futbollistët e Kombëtares, ata ende nuk do e dinin se shqiptaria shtrihet e mbrohet edhe përtej Qafës së Thanës dhe Morinës!

Nga Kim Mehmeti

Artikulli paraprak“De Biasi si “xhaxhi” Enver: Turp ç’farë bëri me Rashicën”
Artikulli tjetërArrihet akordi, Matuidi për 30 mln euro në Serie A