Ferizaj kërkon rikthimin në mesin e skuadrave më të mira në vend dhe për këtë kishte angazhuar edhe trajnerin e njohur kosovar Bylbyl Sokoli. Gjatë fazës së rregullt kampionale ferizajasit përfunduan në pozitën e katërt dhe do të luajnë ndeshjen e barazhit për të mëtuar sërish Superligën.
Për tu rikthyer në elitë “Profa” ka menduar një strategji të veçantë para duelit të barazhit përballë Vëllaznimit të Gjakovës. Në tri ndeshjet e fundit kampionale Sokoli ka preferuar të luajë me skuadrën e të rinjëve, duke vendosur kështu ti pushojë të gjithë lojtarët, shkruan Gazetasheshi.com.
Në tri ndeshjet e fundit Ferizaj mori vetëm 1 pikë nga 9 të mundshmet, por nuk e kishte më presionin e vendit që dërgon në barazh për dallim nga skuadra e Vëllaznimit, kundërshtarit të sfidës më 24 maj.
Vëllaznimi ka patur impenjime më të mëdha për dallim nga Ferizaj, pasi ka luftuar me gjithë “arsenalin” e mundshëm deri në javën e fundit të Vala Superligës për të kërkuar shpëtimin pa barazh, megjithëse nuk i’a doli.
Kur kësaj i shtojmë edhe duelin final të Kupës përballë Prishtinës, atëherë i bije që të luajnë në çdo të tretën ditë dhe do jetë një sfidë e madhe për të djelmoshat e Gani Sejdiut që të mbijetojnë në edicionin e parë pas rikthimit në elitë.