Gonzalo Higuain, të dielën e 2 prillit 2017 ishte në qendër të vëmendjes, sepse bënte vizitën e tij të parë në Napoli, me fanellën e Juventusit (do të kthehet edhe të mërkurën, në Kupën e Italisë). Tifozët napoletanë ishin betuar për t’i përdorur të gjitha llojet e veprimeve kundër tij, teksa sulmuesi argjentinasi vendosi të transferohet te Juventusi, verën e kaluar.Këtë veprim, ata e konsideruan tradhëti, shkruan “T.S”.
Midis këtyre veprimeve ishte edhe numri 71 në banerat e shumtë në “San Paolo”, që përbënte jo pak kuriozitet. Shumë tifozë mbanin në duar pankarta të vogla, me një mesazh të thjeshtë, por mjaft enigmatik:
“Higuain 71”. “Për ne ishe numri 1, ndërsa tani ju jeni vetëm i 71-ti”, – mund të lexohet në një prej posterave. Pati nga ata njerëz që bënë lidhjen e këtij numri (71) me golat e shënuar prej tij me Napolin. Interesante, por 71 ishte numri i golave të Higuain, realizuar me fanellën e Napolit në Seria A.
Por, ky nuk ishte shpjegimi i saktë. Përgjigja shterruese është dhënë nga “La Repubblica”: numri 71 do të thotë “njeri i ndyrë” në “smorfia” napolitane, njëlloj fjalori për të interpretuar ëndrrat, që përdoret gjithashtu për të zgjedhur numrat e të luajturit llotari. Përveç dëshpërimit nga braktisja e tij, tifozët e Napolit kishin ruajtur edhe një inat tjetër nga Higuain, nga ndeshja e fazës së pare, e luajtur në Torino. Sulmuesi argjentinas shënoi golin e fitores për Juventusin vetëm pas 71 minutash lojë.