Kina ka vendosur t’u japë fund shpenzimeve të “çmendura” për të blerë futbollistë të huaj.

Federata Kineze e Futbollit ka përpiluar një rregull, sipas të cilit, nëse klubet e dy kategorive kryesore të futbollit do të shpenzojnë më shumë se 6 milionë euro për një futbollist të huaj, atëherë ato do të duhet të paguajnë edhe një taksë që do të ketë të njëjtën vlerë, që do të thotë se ai futbollist do të kushtojë 12 milionë euro.

Gjithnjë sipas këtij rregulli, të ardhurat që do të akumulohen do të shkojnë për të bërë investime në akademinë e futbollit kinez, në mënyrë që të formohen sa më shumë lojtarë vendas.

Vetëm në vitin 2016, Super Liga kineze shpenzoi 400 milionë euro për futbollistë të huaj, shifër që do të ishtë shumë më e lartë nëse do të aplikohej rregulli i ri. Kështu, Oscar me rregullin e ri do t’i kushtonte Shangait 140 milionë euro, 70 milionë për kartonin e 70 milionë të tjerë që do të derdheshin në shtet në formën e taksave.

Nuk është hera e parë që qeveria e futbollit kinez ndërmerr masa për të minimzuar shpenzimet e “çmendura” në merkato. Kështu, në muajin janar u vendos që klubet të aktivizionin vetëm 3 lojtarë të huaj, ndërkohë që ato e kanë të detyrueshme që 15% të të ardhurave të tyre t’i akordojnë për të investuar te skuadrat zinxhir. Po kështu, klubet janë të detyruar që të kenë në skuadrën e parë 2 futbollistë të U-23, njëri nga të cilët i aktivizar në formacionin bazë.

Por, këto rregulla nuk rezultuan të mjaftueshme, kështu që Federata e Futbollit Kineze u detyrua të vendosë këtë rregull të ri. Tani, nuk pritet gjë tjetër veçse të shihet efekti që ai do të ketë në merkaton e transferimeve.

Artikulli paraprakMësohen çiftet e turneut “Audi Cup”
Artikulli tjetërNjë tjetër italian kandidat për Kombëtaren