Kampionët e Gjermanisë vazhdojnë me fitoret për të dytën javë radhazi në Bundesliga.
Bayern Munich me në krye goditjen e kësaj vere, Harry Kane, triumfon me rezultatin 3-1 ndaj Augsburg, duke ndezur festën në “Allianz Arena”. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 32’, pasi Uduokhai bëri autogol dhe kaloi vendasit në avantazh.
Ndërsa vetëm tetë minuta më pas Harry Kane dyfishoi avantazhin e bavarezëve, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë dhe duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-0. Kane dhe Bayern do të gjenin serish rrugën drejt rrjetës, me sulmuesin anglez që shënoi në minutën e 69′.
Mysafirët tentuan të reagonin dhe ia dolën të shënonin me Beljo në minutën e 86’, me sfidën që në fund u mbyll me rezultatin 3-1.
Pas këtij takimi, Bayern Munich shkon në kuotën e gjashtë pikëve në vend të dytë, ndërsa Augsburg renditet në vend të 11-të me një pikë.