Napoli e nis me hap kampioni, teksa në sfidën hapëse të Serisë A ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 me përmbysje në transfertën ndaj debutuesve të Frosinones.

Victor Osimhen konfirmohet sërish pika më e fortë e ‘kampionëve në fuqi të Italisë, pasi shënoi dy herë në portën e romanëve, teksa gjeti rrjetën edhe Politano, që riktheu barazimin e përkohshëm.

Frosinone e nisi vrullshëm dhe gjeti golin e avantazhit me Harroui, i cili shënoi me penallti edhe golin e parë të sezonit në Serinë A. Megjthatë Napoli i Rudi Garcias reagoi shpejt dhe barazoi në të 24-ën e mori avantazhin në të 42-tën, ndërsa për të vulosur suksesin, mendoi sërish Osimhen në të 79-ën.

Debutoi në Serinë A me fanellën e Frosinones edhe sulmuesi i shpresave të Shqipërisë, Marvin Çuni, që luajti titullar dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 67’, por nuk arriti të lërë gjurmë.

Nisi sezonin me humbje edhe Empoli, që u mposht në shtëpi 0-1 nga Verona. Toskanët bënë një ndeshje mjaft të mirë, por u treguan të pasaktë në finalizim dhe u ndëshkuan nga një gol i Bonnazzolit, që shfrytëzoi gafën e portierit të Empolit.

Titullar në këtë takim mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Ardjan Ismajli, që konfirmoi edhe njëherë se është pika më e fortë e prapavijës së toskanëve, ndërsa në pjesën e dytë debutoi edhe Stiven Shpendi, që tentoi disa herë të gjejë golin dhe tregoi cilësi mjaft të mira.

Artikulli paraprakTottenham mposhti me meritë Man.United
Artikulli tjetërJude Bellingham i jashtëzakonshëm, dy gola dhe asist