Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Pas fitores 1:0 javën e shkuar në udhëtim te Liria e Prizrenit, Ballkani të dielën triumfoi në shtëpi.

Në duelin e luajtur në Suharekë në kuadër të xhiros së dytë, Ballkani e mposhti Feronikelin ’74 me rezultatin 2:0. Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, ia siguruan Ballkanit pikët maksimale në këtë përballje.

Ballkani e dominoi në përgjithësi ndeshjen dhe ishte skuadër më kërkuese ndaj Feronikelit 74’, që kryesisht tentonte të rrezikonte nëpërmjet kundërsulmeve. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë, Ballkani e zhbllokoi ndeshjen dhe atë në minutën e dytë të kohës shtesë. Sulmuesi Albin Berisha shënoi me kokë nga afërsia për ta dërguar Ballkanin më të qetë në pushim.

Edhe në pjesën e dytë, Ballkani vazhdoi dominimin dhe në minutën e 69-të, e dyfishoi epërsinë me anë të autogolit të shënuar nga Feronikeli ‘74. Ishte Robert Rrahmani që reagoi dobët pas harkimit të fortë të Almir Kryeziut nga krahu i majtë, duke e dërguar topin në portën e tij. Në këtë ndeshje, Ballkanit iu lëndua mesfushori Qëndrim Zyba, i cili u detyrua të largohet nga fusha në pjesën e parë.

Me këtë fitore, Ballkani ka tubuar gjashtë pikë ndërsa Feronikeli ’74 mbetet pa pikë, pasi regjistroi edhe disfatën e dytë në po aq ndeshje të luajtura.

/Koha.net

Artikulli paraprakLlapi i fortë, Dukagjini i humbur në Podujevë
Artikulli tjetërWest Ham e fitoi derbin e Londrës, Chelsea i mjerueshëm