Vazhdon forma jo e mirë e Cleveland Cavaliers. Kampionët aktual pësuan një tjetër disfatë këtë herë nga Washington Wizards. Skuadra kryeqytetase u udhëhoq nga John Wall i cili realizoi 37 pikë 11 asistime dhe 4 kërcime në fitoren 127-115. Edhe pse kanë siguruar vend në play-off, megjithatë Cavs tashmë po e rrezikojnë pozitën e parë në Konferencën e Lindjes pasi si Boston Celtics ashtu edhe Washington Wizards janë afruar ndjeshëm. Me lojë të mire u veçua edhe Bradley Beal i cili i shtoi 27 pikë. Në krahun tjetër më i miri ishte LeBron James që shënoi 24 pikë, 8 asistime dhe 11kërcime, ndërsa Kyrie Irving u ndal në kuotën e 23 pikëve.
Fitore edhe për San Antonio Spurs, e cila ishte e katëta radhazi. Këtë here ata mposhtën 106-98 ndaj New York Knicks, duke mbajtur gjallë shpresat për të kapur vendin e parë në Perëndim në fund të sezonit të rregullt. Më i miri për San Antonion ishte i përhershmi, Kawhi Leonard i cili shënoi 29 pikë, 5 kërcime dhe 5 asistime.
Skuadra e momentit në NBA është padiskutim Toronto Raptors. Skuadra kanadeze regjistroi fitoren e pestë radhazi pasi mposhti Dallas Mavericks 94-86. Falë një pjese të parë shumë të mirë në përfundim të së cilës kryesonte me 10 pikë epërsi, Toronto mori fitore shumë të rëndësishme, ndërkohë që për Dallas-in kualifikimi në play-off pas kësaj humbjeje do të jetë mision i pamundur. 23 pikët e realizuara nga Barnes nuk i mjaftuan skuadrës vendase, ndërsa në krahun tjetër më i miri për Raptors ishte DeMar DeRozan.