Dy gjysmëfinalet e edicionit të 31-të të aktivitetit më të madh afrikan të futbollit, të luajtura në dy ditët e shkuara, kanë nxjerrë në finale Egjiptin dhe Kamerunin.

Ndërkohë që gjysmëfinalja e së mërkurës, mes Burkina Fasos dhe Egjiptit, kërkoi gjuajtjen e 11-metërshave për të përcaktuar finalistin e parë, mbrëmë ka mjaftuar koha e rregullt për të përcaktuar skuadrën tjetër finaliste.

Kameruni fitoi 2-0 ndaj Ganës, me dy gola të shënuar në pjesën e fundit të lojës. I pari u shënua në minutën e 72-të nga Ngadeu-Ngadjui, dhe i dyti në minutën e 93-të nga Bassogog.

Egjipti dhe Kameruni janë ndeshur dhe dy herë në finalet e së njëjtës veprimtari, në vitin 1986 dhe në vitin 2008.

Kjo finale do të luhet të dielën, në 20:00; në të njëjtën orë, por një ditë më herët, të shtunën, do të jetë takimi për vend të tretë, ai mes Burkina Fasos dhe Ganës.

Artikulli paraprakBesoni apo jo, Conte ishte afër shkarkimit pas humbjes nga Arsenali
Artikulli tjetërLajmi i fundit: Allegri largohet nga Juventus, Sousa pasardhës i tij?