Vinçenco Montela as që ka ndër mend që ta kafshojë gjuhën pas humbjes, ku Milani i tij pësoi në Napoli, duke bërë ironi, duke sulmuar, por ndoshta edhe duke kërcënuar se disa skena, si për shembull kartonët e kuq nuk do t’i tolerojë më në të ardhmen.

“Dhuruam dy kartonë të kuq dhe kjo është diçka e pajustifikueshme. Niang, Kuçka, por edhe të tjerët duhet ta kenë të qartë këtë, duke parë se edhe një ndeshje më parë e mbyllëm sërish në inferioritet numerik. Protesta te gjyqtarët nuk do të pranoj më nga lojtarët e mi, edhe pse ato mund të jenë me të drejtë.

Pasi mbetëm me 9 lojtarë, pamë përpara nesh një mal në dukje të pamundur për t’u ngjitur, ndaj nuk kishim forca të tentonim, të rikuperonim asgjë nga ndeshja”.

Në lidhje me paraqitjen, trajneri i kuqezinjve nënvizon: “Jam i kënaqur, por edhe i zhgënjyer. Pas një paraqitjeje si kjo, të kthehesh në shtëpi me zero pikë është diçka që nuk kapërdihet lehtë. Në 20 minutat e para ishim superior ndaj Napolit, më pas pësuam golin dhe humbëm vetëbesim.

Në pjesën e dytë patëm një reagim prej skuadre të madhe dhe objektivi ynë është që atë agresivitet ta kemi për 90 minuta, në çdo ndeshje, në të ardhmen”.

Pas paralajmërimeve dhe analizës, vjen koha e ironisë: “Çfarë na mungon ende? Personaliteti jo, por ndoshta ndonjëherë është mirë që të kesh në skuadër disa futbollistë dinakë. Një si Reina për shembull, i cili shkoi e kërkoi kontaktin me Niangun dhe lojtarin tim e përjashtuan. Të tilla gjeste shpesh herë të japin avantazhe të mëdha.

Gustavo Gomes? Luan ende individualisht, kjo nuk më pëlqen dhe duhet të punojmë, – shprehet Montela, që në fund e mbyll me një batutë, pas deklaratës së Adriano Galianit se merkato e Milanit është e mbyllur.

“Unë di që ka ende kohë në mbylljen e saj… Por frika më e madhe është se mos ndoshta, paratë e kinezëve tanë kanë shkuar në adresën e gabuar. Duke lexuar gazetat sot, se çfarë bëhej tek Interi…”.

Artikulli paraprakGjimshiti te Avellino, pritet zyrtarizimi
Artikulli tjetërJa letra që Besart Berisha konfirmon se do të luaj për Kosovën