Mund të kishte qenë një ditë historike në të dy rastet për Benevento-n. Në rast fitoreje, e cila ka qenë shumë afër pas 45 minutave të para, verdhekuqtë do të kishin shkaktuar befasinë më të madhe në botën e futbollit, edhe duke parë se një fitore e tyre në fushën e Juventus kishte koeficientin 35 në kompanitë italiane të basteve. Një kuotë që nuk ishte përdorur kurrë më parë. Por në pjesën e dytë bardhezinjtë kanë përmbysur gjithçka me Higuain dhe Cuadrado, duke i shkaktuar Benevento-s humbjen e 12 radhazi në 12 javët e para të Serisë A.

Para disa javësh është thënë se 10 humbjet në 10 javët e para kanë qenë një rekord absolut për futbollin italian. Tani kjo statistikë duhet përditësuar sepse me dy humbjet e fundit Benevento ka barazuar rekordin botëror të nisjes më të keqe në një kampionat. Në fron, bashkë me ta, ulet Manchester United, që ka patur të njëjtën ecuri pas 12 javëve të para në sezonin 1930/31. “Djajtë e Kuq” e kanë mbyllur atë kampionat në vendin e fundit, duke humbur 27 ndeshje nga 42 dhe duke pësuar 115 gola.

Raporti: Telesport

Artikulli paraprakKjo grua ka thyer tabunë e Maratonës së Nju Jorkut
Artikulli tjetërSassuolo e kërkon për trajner legjendën e Milanit