Tiago Djalo është një lojtar i Juventusit me zyrtarizimin që pritet të vijë në fillimin e javës së ardhshme, teksa portugezi do të mbërrijë në Torino për të kryer vizitat mjekësore e më pas për të nënshkruar kontratën me bardhezinjtë.

Bëhet fjalë për një kontratë të vlefshme deri në vitin 2028 me 23-vjeçarin që mbulon disa role në prapavijë ndërsa pritet të zëvendësojë Alex Sandron që me shumë gjasa po luan sezonin e fundit me italianët.

Kujtojmë se në garë për Djalo ishte edhe Inter, madje zikaltërit kishin akordin me lojtarin për ta transferuar me parametër zero në verë. Por, Juventus ndërhyri duke paguar 3.5 milionë euro për mbrojtësin.

Një pjesë e këtyre parave u financuan edhe nga Dragusin që u transferua te Tottenham nga Genoa për shifrën e 30 milionë eurove, me Juventus që përfitoi 20 përqind të kësaj shumë pasi rumuni ishte më parë lojtar i torinezëve.

Për momentin, Djalo është i dëmtuar dhe nuk luan prej marsit të kaluar pasi dëmtoi ligamentin e gjurit. Megjithatë, pritet që lojtari të jetë gati për pjesën finale të sezonit aktual dhe të kontribuojë për Juventusin e Massimiliano Allegrit.

Artikulli paraprakInter shumë i fortë, deklasoi Monza-n
Artikulli tjetërNëse e mposhtin Barçën në Superkupë, Modric dhe shokët e tij do të marrin shpërblime të mëdha