Silvio Berluskoni, edhe pse po shkëputet nga një prej dashurive të tij më të mëdha si Milani, ka ditur gjithmonë të “ngushëllohet”, duke ngritur perandori të vërteta, një prej të cilave është edhe rrjeti televiziv “Mediaset”. Prandaj, të pasurohesh duke investuar në mënyrë të zgjuar është një cilësi që e ka bërë atë një ndër njerëzit më të pushtetshëm në Itali.

Duke iu referuar uebsajtit të specializuar “Calcio e Finanza”, ish-kryeministri italian pritet të përfitojë shuma marramendëse me rastin e çerekfinales së vajtjes të Champions-it mes Juventusit dhe Barcelonës.

“Mediaset” ka blerë të drejtat e transmetimit, por edhe pse ai ka vendosur që ndeshja të shihet nga të gjithë pa pasur nevojën e abonimit, ky rrjet do të përfitojë nga ndërprerjet e lojës për të arkëtuar miliona nga bizneset që kërkojnë të reklamojnë markat e tyre.

Pushimi mes pjesës së parë dhe të dytë do të jetë e mbushur me reklama 30-sekondëshe, për të cilat do të paguhet 200 mijë euro për një transmetim të vetëm. Nëse e përpjesëtojmë kohën me vlerën, i bie që në 15 minuta do të transmetohen 30 spote, të cilat duke u shumëzuar me 200 mijë euro secili bëjnë 6 milionë euro të fituara në vetëm 15 minuta.

Gjithsesi, nuk mbaron këtu, sepse gjatë lojës janë programuar edhe spote të shkurtra 15-sekondëshe maksimumi, ku të gjithë të interesuarit duhet të paguajnë 165 mijë euro nëse duan ta blejnë këtë hapësirë kohore.

Ndërkohë, e njëjta gjë pritet edhe për datën 18 prill, me rastin e Real Madrid – Bajern Mynih, ku një spot 30-sekondësh në pushim të takimit do të kushtojë 90 mijë euro, ndërsa ato 15-sekondëshe gjatë ndeshjes, 75 mijë euro.

/Panorama Sport

Artikulli paraprakLiverpool është për ndeshje të mëdha, e fitoi pa problem derbin “Merseyside”
Artikulli tjetërDrenica befasoi kampionin në Drenas