Mungesa në Botërorin 2018 po sjell gjithnjë e më shumë pasoja të rënda për kombëtaren italiane të futbollit, e cila tashmë nuk shihet si një nga ekipet elitare as për ndeshje miqësore. Rivalët e italianëve mendojnë se “të kaltrit” nuk janë më tërheqës për publikun dhe përfitimet nuk janë aq të mëdha sa mund të mendohet nëse përballesh me ta.

Kjo ka shtyrë Federatën Argjentinase të Futbollit të mendojë për anulimin e një miqësoreje që kishte programuar me Italinë në marsin e vitit 2018. Të dy palët kishin rënë parimisht dakord për zhvillimin e një ndeshje të tillë më 23 mars në Bazel. Por sipas “La Gazzetta Dello Sport”, në ditët në vijim pritet që në FIGC të mbërrijë letra që njofton për anulimin e kësaj sfide.

Argjentinasit besojnë se nuk mund të përfitojnë gjë as nga ana sportive më një ndeshje të tillë dhe as nga ana financiare, meqë dueli do të lueht në Zvicër dhe imazhi që ka aktualisht Italia nuk ndihmon të mbushet stadiumi. Ndaj për Italinë, si variant mbetet vetëm miqësorja që ka planifikuar me Anglinë, në sfidën që do të luhet në “Uembli” më 27 apo 28 mars.

Artikulli paraprakShoshi premton maksimumin ndaj Lituanisë
Artikulli tjetërAustralia shkoi në Botëror, trajneri dorëhiqet për t’u dhënë shansin të tjerëve