Mesfushori kolumbian, James Rodriguez, do të largohet gjatë verës nga Real Madridi. Sipas drejtorit të “Ok Diario”, Eduardo Inda, 25 vjeçari do t’i thotë lamtumirë Realit në fund të sezonit.

Ai e ka bërë këtë të ditur në “El Chiringuito de Jugones”, i cili gjithashtu tha se kolumbiani ka biseduar ditë më parë me numrin një të klubit, Florentino Perez.

Inda bën të ditur se James ka pyetur Perezin nëse trajneri francez do të jetë edhe sezonin e ardhshëm te “Los Blancos”, përgjigjja e të cilit ishte e shkurtër “Po”.

“Presidenti e pyeti fillimisht Jamesin se ‘çfarë do të bësh’ sepse klubi e di se ai është lojtar i jashtëzakonshëm. James dëshiron të qëndrojë, por siç kam thënë edhe më parë, Zidane nuk dëshiron ta shohë atë as në foto”, tha fillimisht Inda.

“Më pas ai vendosi ta pyes Perezin. Presi, do të qëndrojë Zidane, Perez i përgjigjet ‘po ai do të jetë trajner i Real Madridit edhe sezonin e ardhshëm’. James më pas i thotë: ‘nëse Zidane qëndron, unë do të largohem nga Reali”, u shpreh më tej Inda në “El Chiringuito de Jugones”.

“Unë e kam thënë këtë disa herë këtu që disa muaj dhe tashmë kjo është konfirmuar dhe Jorge Mendes po kërkon klub për të, që do të jetë nga Premierliga”, shtoi ai.

“James mund të përfundojë në Chelsea së bashku me Moratan, por opsion është edhe Manchester United. Po shikohet mundësia që të shkëmbehet me David de Gean”, shtoi më tej Inda.

Ky vendim i James vjen pasi situata nuk ka ndryshuar me të, pavarësisht se Zidane i premtoi atij më shumë minuta në fillim të këtij viti, kur kolumbiani tha haptazi në dhjetor 2016: “nëse nuk do të luaj më shumë, do të largohem dhe kam një javë kohë për të menduar”.

Në fund James qëndroi dhe trajneri francez i premtoi atij më shumë minuta, minuta të cilët nuk po ia siguron, pasi James nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshje të rëndësishme të këtij sezoni, duke qenë zëvendësues i zëvendësuesve.

Ai ka luajtur vetëm pak minuta ndaj Barcelonës, ku ka shënuar edhe gol, por nuk ka luajtur fare në dy ndeshjet ndaj Bayern Munichut në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe as në dy sfidat ndaj Atletico Madridit.

Para James po vazhdojnë të luajnë Asensio e Vasquez, sinjale të qarta këto që Zidane nuk beson në cilësitë e kolumbianit dhe po e përdor lojtarin vetëm atëherë kur i pushon ata të ekipit të parë.

Për lojtarin janë të interesuara shumë skuadra, por Inda tha në “El Chiringuito de Jugones”, se James do të shkojë në Chelsea ose Manchester United. Ekipi i Jose Mourinhos këmbëngul për kolumbianin.

Mediat angleze raportojnë se tashmë 25 vjeçari ka arritur marrëveshje me “Djajtë e Kuq” dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në “Old Trafford”, kjo pasi agjenti i kolumbianit, Jorge Mendes, është edhe agjent i Jose Mourinhos.

Kujtojmë se James ka bërë 30 paraqitje deri më tani këtë edicion për “Los Blancos”, në shumicën prej tyre ka ardhur nga stoli dhe ka shënuar 11 gola.

Artikulli paraprakDy portierë shqiptarë në Ligën e Europës
Artikulli tjetërE tha Igli Tare, e konfirmoi edhe Inzaghi….