Fantazisti kosovar, Bajram Nebihi, nuk ka pranuar të dalë në stërvitje me Vllazninë, pa arritur më parë marrëveshjen me klubin shkodran. Mesfushori 28- vjeçar ka udhëtuar drejt Malit të Zi të enjten në mbrëmje, duke iu bashkuar skuadrës në grumbullim.

Mirëpo, teksa stafi teknik priste ta shikonte në fushë në seancën e radhës stërvitore, ka ndodhur një e papritur. “Panorama Sport” zbulon se kosovari ka refuzuar të stërvitet, duke menduar se ai nuk është një lojtar për t’u testuar, por i afirmuar dhe kësisoj vlerat e tij nuk mund të vihen në diskutim. “Unë nuk mund të dal në stërvitje pa firmosur kontratën. Nuk jam lojtar për t’u provuar. Nëse jeni të interesuar, atëherë hajde flasim për kushtet e kontratës, në të kundërt po iki”, mësohet t’u ketë thënë lojtari drejtuesve të klubit kuqeblu.

Këta të fundit, nga bisedat që kanë pasur fillimisht, mësohet se kishin lajmëruar mesfushorin të paraqitej në Berane, aty ku dhe po zhvillon fazën përgatitore Vllaznia. Mirëpo nuk dihet nëse palët janë marrë vesh për faktin se lojtari duhet testuar më parë. Burime në klub tregojnë se Nebihi mund të ketë pasur një ofertë tjetër, prandaj dhe ka refuzuar të dalë në stërvitje me Vllazninë. Gjithsesi, gjatë gjithë kësaj periudhe, pavarësisht CV-së që kanë pasur lojtarët, trajneri Armando Cungu ka kërkuar më parë të shohë gjendjen e tyre për t’u bindur.

Në rastin e Nebihit, i cili ka një CV të pasur, pasi ka luajtur edhe në Bundesligën 2 gjermane me klube si Augsburg dhe Union Berlin, sërish klubi nuk ka toleruar, por ka vepruar në bazë të asaj që kërkon Cungu. Nebihi është larguar pa mbërritur mirë nga kampi i Vllaznisë në Mal të Zi, por gjithsesi duhet pritur për të shikuar mbi të ardhmen tij, pasi nuk përjashtohet mundësia që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here