Tërmet në Barcelonë. Josef Maria Bartomeu bashkë me disa ish-drejtues të lartë të klubit të Barcelonës u arrestuan paraditen e djeshme nga policia e Katalunisë, sepse dyshohen si pjesëmarrës në “Barçagate”.

Agjentë të krimit ekonomik fillimisht mësynë në zyrat e klubit në stadiumin “Camp Nou” dhe kanë sekuestruar të gjithë dokumentacionin.

Gjithashtu, forca të tjera policie kanë shkuar në banesën e ish-presidentit të klubit dhe të disa personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë hetim.

Po kërkohet material për dyshimet e ngritura kohë më parë nga disa aksionerë të Barcelonës se presidenti kishte paguar shuma të larta parash për të sponsorizuar në rrjetet sociale shkrime të ndryshime. Të arrestuarit janë marrë në pyetje pasditen e djeshme për të dhënë versionin e tyre. Pasi dhanë dëshminë e tyre ata janë rikthyer sërish nëpër banesa. Kjo gjë nuk ka ndodhur për Bartomeun, i cili nuk pranoi të flasë dhe u gdhi në komisariat.

SHTATË ORË – Policia e Katalunisë ka qëndruar afro 7 orë në zyrat e skuadrës duke kërkuar informacione, dokumente dhe duke marrë në pyetje persona të ndryshëm në lidhje me skandalin e ndodhur një vit më parë kur president ishte Bartomeu. Disa agjentë kanë bërë inspektimin.

Edhe në qershorin e kaluar, policia ka pasur një tjetër mësymje në klub duke kërkuar prova dhe dokumente. Gjyqtarja e kësaj çështjeje është Ariadna Gil, e cila urdhëroi arrestimin e katër personave: Josef Maria Bartomeu (ish-president i klubit), Oscar Grau (administrator i përgjithshëm), Roman Gomez Ponti (jurist) dhe Haume Masferrer (krahu i djathtë i ishpresidentit). Katër të arrestuarit janë të përfshirë në këtë skandal dhe emri i tyre ka qarkulluar në përgjimet e bëra. Klubi i Barcelonës drejtonte dhe menaxhonte një fushatë kundër lojtarëve dhe ishlegjendave të klubit në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për kompaninë “I3 Ventures SL”, e cila nga ana tjetër gjente lidhjet me disa rrjete sociale dhe bënin postime të komanduara nga klubi. Bartomeu e mohoi diçka të tillë kohë më parë, por ai vazhdon të jetë i dyshuari kryesor.

Barcelona ka paguar më shumë sesa 1 milion euro për kompan inë I3 Ventures, por Bartomeu është i dyshuar edhe për çështje të tjera korrupsioni. Lajmi bëri xhiron e botës dhe Barcelona sërish del në skenë për diçka negative. Gjatë ditëve të ardhshme priten zhvillime të tjera në lidhje me këtë çështje dhe zbardhja e saj.

/Panorama Sport

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here