Ata nuk do ta duan kurrë, ose të paktën, nuk do ta duan të gjithë. Është ky fati i Massimiliano Allegrit, me tifozërinë bardhezi, që nuk rresht së kritikuari teknikun dhe lojën e skuadrës. Pavarësisht se Allegri ka bërë më mirë se kushdo, pavarësisht se ka shkuar lart e më lart, me një organikë që jo gjithmonë është përforcuar për të synuar majat, tifozëria vijon të mos e simpatizojë trajnerin.
Juventusi i tij ‘luan keq’ por i shkon deri në fund çdo kompeticioni dhe thuajse gjithmonë. Shifrat e tij te bardhezinjtë janë mbresëlënëse. 3 tituj kampionë radhazi, 3 Kupa Italie radhazi dhe dy finale Championsi, për më tepër, pasi mori drejtimin e një skuadre, që nga paraardhësi i tij, Antonio Conte, u shit si ‘e vdekur’. Në 3 sezone, Juventusi ka regjistruar 84 fitore, 17 barazime dhe vetëm 13 humbje, duke marrë një mesatare prej 90 pikësh në sezon. Por sërish luan keq?
Është e vërtetë që Allegri nuk do të jetë kurrë Sarri dhe nuk është aq maniak sa napolitani, për lojën e bukur dhe cilësinë, por është trajneri më fleksibël që ka Seria A dhe ndoshta edhe Europa. Për të qenë më të qartë, Guardiola, Conte dhe Mourinho kanë filozofinë e tyre të lojës dhe bëjnë sukses, por vetëm mbi një mënyrë të caktuar loje, të cilën preferojnë ta aplikojnë dhe ia dalin mirë.
Përkundrazi, Allegri është një kameleon dhe me zgjidhjet e tij, shpesh herë një gjeni. Mjafton të kujtoni rolin e ri, ku përshtati Mandzukiçin, duke e shndërruar në pikën më të fortë të një skuadre që fitoi titullin, Kupën e Italisë dhe arriti finalen e Championsit. Juventusi i tij ndryshon rreshtimin në mbrojtje, nga ajo me 4 në atë me 3 dhe anasjelltas, me lehtësinë më të madhe. Edhe në mesfushë, bardhezinjtë rreshtohen me 2, 3 ose edhe 5 mesfushorë, sërish duke u përshtatur në mënyrë perfekte dhe sigurisht që asnjë skuadër nuk është e aftë të ndryshojë modulin e lojës, në mënyrë të tillë si skuadra e Allegrit.
Madje duhet evidentuar se në 3 vitet e tij te bardhezinjtë, Allegri është detyruar të përballojë largimin e lojtarëve si Pirlo, Pogba, Bonucci, Vidal, Tevez, Morata, Dani Alves, Evra, Llorente, etj. Ndonëse thuajse çdo vit kanë ardhur lojtarë me peshë, asnjë trajner tjetër nuk do të arrinte të ruante ekuilibrat, duke përshtatur shpejt të rinjtë dhe bërë të harrohen të vjetrit. Nuk është aspak e lehtë, që çdo vit t’ia nisësh nga fillimi, pasi ka gjithmonë nevojë për një vazhdimësi, por Allegri ia ka dalë edhe këtu.
Por Juventusi nuk luan bukur, nuk dhuron spektakël ashtu si Barcelona. Allegri nuk ka shpirtin e juventinit brenda, nuk bëhet asnjëherë polemik, por vetëm punon dhe fiton. Nuk ka rëndësi nëse fiton edhe titullin e 4-t radhazi, as nëse fiton edhe Kupën e Italisë, apo lufton deri në fund për Champions, sepse fati i Allegrit është shkruar në mënyrën më ironike. Shumica e bardhezinjve nuk e duan, edhe pse fiton!
/Supersport.al