Filippo Inzaghi beson se pas fitores së djeshme kundër Barcelonës, skuadra e Juventusit e meriton triumfin në Champions League.
Në një intervistë për mediat vendase, Inzaghi nuk ka kursyer elozhet për sulmuesin Dybala i cili mbrëmjen e djeshme shënoi dy gola, transmeton SYRI.net.
“Unë në karrierën time i kam shënuar vetëm një gol Barcelonës, ndërsa Dybala megjithëse është 23 vjeç i shënoi dy gola brenda natës. Të dy golat ishin njëri më i bukur se tjetri, ndërsa më duhet të nënvizoj se nuk arrij ta konceptoj se si mbrojtësit e Barcelonës i lënë aq shumë hapësirë një sulmuesi si ai. Paolo është një ‘vrasës’ të cilit nëse i lihet hapësira më e vogël të ndëshkon. Përgëzime Juventusit për fitoren sepse realisht është skuadra që meriton të fitojë këtë trofe. Kjo ishte një fitore shumë e vyer pasi lëshon sinjale se Juventusi nuk ka frikë nga askush, por në të njëjtën kohë shanset që të fitojë Champions Leaguen janë akoma edhe më të mëdha me një Dybala në super-formë”, u shpreh ai.