Publikimi i autobiografisë i kushton shumë Mauro Icardit. Drejtuesit e Interit duket se nuk e kanë pëlqyer atë që kishte shkruar sulmuesi argjentinas për tifozët e skuadrës dhe do të marrin masa ndëshkuese për të.

Sipas medias italiane, Interi ka vendosur të gjobisë futbollistin dhe t’i heqë atij shiritin e kapitenit për vitin 2016, një kërkesë kjo që Icardit iu bë edhe nga vetë tifozët zikaltër. Gjithçka nisi nga versioni i treguar nga Icardi për zënkën mes tij dhe ultrasve pas sfidës mes Sassuolos dhe Interit të sezonit të kaluar, version ky që i ka lënë të fyer tifozët e Interit.

Raportet mes tifozëve dhe futbollistit u përkeqësuan ndjeshëm, ndërkohë që dhe procesi i rinovimit të kontratës u kthye në një telenovelë ku nuk munguan tensionet mes drejtuesve të Interit dhe bashkëshortes së Icardit, Wanda Nara. Autobiografia e futbollistit vetëm sa i përkeqësoi gjërat dhe nuk janë të paktë ata që mendojnë largimin e Icardit, madje që në muajin janar.

Napoli është ai që do të kërkojë të shfrytëzojë këtë situatë për të mundësuar blerjen e Icardit. Mungesa e Milik është e rëndësishme për Napolin dhe Gabbiadini nuk mund të mbajë i vetëm repartin e sulmit te napoletanët e për më tepër italiani nuk po e bind trajnerin Sarri. Kështu që Napolit i duhet një tjetër sulmues dhe Icardi duket si zgjidhja ideale.

 

/ Top Channel

Artikulli paraprakLajmi i fundit: Kinezët e Milanit synojnë super-futbollistin argjentinas
Artikulli tjetërUltrasit e Interit, “vizitë” në shtëpinë e Icardit