Kinezët e Interit duket se kanë plane vërtetë serioze për rikthimin e ekipit në majat e futbollit europian e botëror.

Ende pa u mbushur një vit nga blerja e 70% të aksioneve të klubit, ata kanë investuar shumë në merkato, ku vlen të përmenden operacionet e Joao Mario (45 milionë euro), Gabriel Barbosa (30 milionë euro) dhe Roberto Gagliardini (28 milionë euro).

Krahas merkatos, ata kanë afruar një sërë sponsorash të rinj pranë klubit, duke ndihmuar në krijimin e bazave të sigurta financiare. E megjithatë, duket se kjo verë do të jetë vërtetë e çmendur për merkaton e Interit, pasi drejtuesit e saj kanë vendosur të afrojnë emra të rëndësishëm në botën e futbollit, për të arritur rezultate të shpejta.

Gjithçka fillon nga trajneri, ku pavarsisht konfirmimit për Piolin, duket se të parët në listë janë Conte, Simeone dhe trajneri aktual i Juventusit, Allegri. Pioli, pavarsisht rezultateve të arritura, do të jetë vetëm alternativa e emrave të lartpërmendur, sepse grupi kinez dëshiron të sjellë një trajner me emër e prestigj.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe sa i përket merkatos. Domenico Berardi është në listë për t’iu bashkuar ekipit këtë verë, në kuadër të italianizimit të ekipit, por synimi madhor i merkatos është dikush tjetër.

Marco Verrati, një mesfushor 24 vjeçar, që prej vitesh luan në nivele të larta, është një nga emrat më të rëndësishëm për të ndikuar në rritjen e ekipit.

Gjithsesi, mesfushori i kombëtares italiane nuk është i vetmi, pas i deri më 31 gusht pritet të ketë të tjera surpriza të mëdha nga merkato zikaltër.

/ Top Channel

Artikulli paraprakRundles dhe Billy të “suspenduar”?
Artikulli tjetërQendërmbrojtësit më të mirë, sipas Maldinit