Anësori Dimarco që befason Handanoviçin dhe dërgon topin në trekëndësh apo goli i Karamoh që i “nxin” jetën Interit përpara se Lukaku të barazojë.

Dy lojtarë që kanë veshur fanellën zikaltër, por që ish-ekipit të tyre i kanë futur shkopinjtë në rrota në vizitat e fundit në “Meazza”. Që kur Parma është rikthyer në Serinë A ka qenë shpesh problematike për Interin.

MALLKIMI – Fitorja bëhet më e vështirë pa Lukakun, por sot Antonio Conte ka për detyrë të thyejë një tabu pasi ekipi që ai drejton nuk regjistron një fitore në shtëpi ndaj Parmës që nga viti 2013.

Në statistika ndikon edhe mungesa e vedhebluve në Serinë A, megjithatë Interi regjistron tre barazime dhe një humbje në katër përballjet e fundit.

Nuk mjafton fakti që pikërisht në “Tardini” është fituar edhe një titull në vitin 2008, por ishte kohë tjetër e Ibrahimoviçit kur ishte pjesë e skuadrës së drejtuar nga Roberto Mancini.

Andi Lila

Në 2015 ishte Fredy Guarin dhe Andi Lila që ndanin ekipet në paqe, teksa në tribuna populli zikaltër kërkonte “kokën” e disa idhujve. I zhurmshëm ishte edhe barazimi 3- 3, por spektakli në fushë rezultoi edhe më i madh se sa uturimat e pakënaqësisë interiste.

GËZIMI I FUNDIT – Duke kaluar te fitoret, mjafton të thuhet se suksesi i fundit i Interit i falet Tomaso Rocchi, që duke zëvendësuar Militon vendoste takimin në fjalë. Gol vendimtar ai i italianit më 13 prill të 2013-ës dhe në minutën e 81-të të ndeshjes. Ishte skuadra e Stramoaccioni-t që uronte të kapte një vend në Ligën e EVropës, teksa kapiten Zannetti përjetonte kapitullin e parafundit të karrierës.

Kohë tjetër, siç tjetër është Interi i Contes që ka ambicie krejt të ndryshme nga ai i shtatë viteve më parë. Në horizont është Reali, por zikaltrit nuk bëjnë dot “skonte” në kampionat, ndaj duhet thyer tabuja Parma dhe rigjetur shinat e suksesit.

/Panorama Sport

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here