Messi, Suárez dhe Neymar Jr (MSN) janë në formë të madhe. Tre sulmuesit kanë qenë protagonistë në afatin e fundit të Barcelonës, pasi kanë kontribuar me 23 gola nga 33 të tillë të shënuar. Në fakt, Blaugrana kanë fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit të tyre, teksa njëra prej tyre u fitua në mënyrë epike 6-1, si përmbysje historike ndaj PSG-së. Kjo gjë i siguroi Barcelonës “biletën” për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
MSN kontribuoi me katër gola në atë natë historike, me Neymar Jr që shënuar dy herë, ndërsa Suárez e Messi nga një gol secili. Ky “trident” ka shënuar 90 gola në këtë sezon, në të gjitha garat. Messi udhëheq me 43 gola, çka e bën atë golashënuesin më të mirë në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Suárez është i dyti, me 32 gola, ndërkohë që ka hapur rezultatin në pesë ndeshjet e fundit të katalanasve.
Neymar Jr nuk është shumë prapa, duke parë se kohët e fundit rrumbullakosi 100 gola me fanellën e Barçës. Të dhënat e tyre si golashënues janë spektakolare dhe pasqyrojnë aftësinë e pabesueshme të “tridentit”.Ata janë në krye të “tridentëve” në Europë, me vetëm dhjetë gola larg “100”në një kampionat, për herë të tretë. Produkti i MSN është një nga arsyet kryesore, pse Barça ka ende shansin për të siguruar një tjetër “tripletë”, shkruan “telesport”.
“Tridenti”i dytë më pjellor në Europë është kombinim i Cavanit, Lucas Moura dhe Di María (PSG), me 65. Pastaj vjen ai i Real Madridit, RBM (Ronaldo-Benzema-Morata) me 59 gola; i ndjekur nga “triot” e Bayern Munich dhe Napolit, në vendin e katërt dhe të pestë. Ashtu siç mbetet i pashuar oreksi i MSN për gola, tre yjet e Barçës kanë dhënë edhe shumë asiste. Në total, kjo treshe ka dhënë 46 asiste. Neymar udhëheq me 19 asiste, Suárez ka 14 dhe Messi 13 të tilla. “Tridenti”i Napolit, me 28 asiste, është më i afërt me atë Blaugrana në këtë kategori, edhe pse MHI (Mertens-Hamsik-Insigne) ka vetëm diçka mbi gjysmën e asisteve të MSN. Kjo tregon se “tridenti”i Barcelonës është më efektivi në botën futbollit.