Federer vazhdon serinë e mirë në vitin 2018. Tenisti zviceran mundi Borna Coric në turneun Masters të Indian Wells-it, duke kaluar në finalen e këtij evenimenti, ndërkohë që e çoi në 17 numrin e fitoreve për këtë vit, duke përmirësuar rekordin e tij në fillimin e vitit 2006 me 16 fitore radhazi.

Federer, i cili arriti të mbajë kreun e renditjes ATP, nuk e pati aspak të lehtë ndeshjen gjysmëfinale të turneut kalifornian me tenistin kroat, të cilin e mundi me rezultatin 2-1 pas 2 orë e 20 minutash lojë, ku 36-vjeçari këtë radhë u ndihmua nga eksperienca e tij. Coric fitoi setin e parë 7-5, por Federer diti të reagojë në momentet e duhura dhe arriti të fitojë dy setet e tjerë 6-4 dhe 6-4.

Përballë Federerit, i cili kërkon të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar, në finale do të jetë Juan Martin Del Potro. Argjentinasi u përball në gjysmëfinale me Milos Raonicin, sfidë të cilën e pati shumë të lehtë. Del Potro i mbylli shumë shpejt llogaritë e kësaj sfide me tenistin kanadez, duke i fituar setet 6-2 dhe 6-3, në 1 orë e 5 minuta.

Finalja e këtij viti në Indian Wells do të jetë përballja e 25 mes Federer e Del Potros. Bilanci i 24 sfidave të mëparshme anon dukshëm nga zvicerani, që ka 18 fitore kundrejt 6 të Del Potros.

Top Channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here