Dje, kombëtarja gjermane nisi përgatitjet për gjysmëfinalen e së enjtes me Meksikën, e vlefshme për Kupën e Konfederatave që po zhvillohet në Rusi. Trajneri Joachim Löw dhe një nga ndihmësit e tij legjendarë, Urs Siegenthaler, po analizojnë në detaje rivalët e tyre, krejt ndryshe nga vitet e tjera.
Stafi teknik i kampionëve të botës tashmë ka arritur që gjithçka që di për skuadrat kundërshtare t’ua transmetojë menjëherë lojtarëve. Kjo mundësohet nga një aplikacion i quajtur “iJogi”, të cilin çdo lojtar mund ta përdorë në celular.
Po çfarë mësojnë Julian Draxler me shokë nga ky aplikacion? Gjermanët kanë shpjeguar se mund të lexojnë si dhe sa vrapojnë kundërshtarët, lëvizjet e tyre në sulm dhe në mbrojtje, mënyrën se si i ekzekutojnë goditjet e dënimit, si i nisin aksionet dhe madje edhe si i gjuajnë penalltitë (e vlefshme për portierët).
Lojtarët me këtë mënyrë marrin vesh edhe planin ditor dhe se çfarë duhet të veshin në mëngjes. Nëse një nga trajnerët dëshiron të flasë me një lojtar, ai i shkruan menjëherë në “chat”. Lojtarët gjithashtu mund të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë turneut.