Zlatan Ibrahimovic protagonist absolut edhe kur nuk zbret në fushën e blertë. Riaftësimi i tij po vjen në kohë rekord, ndaj u premton tifozëve të Manchester United se do ta shohin në formën optimale brenda muajit dhjetor, fakt që ka shokuar edhe vetë mjekët që kanë ndjekur ecurinë e tij.

Meritë në hapat e sigurtë që po hedh Ibrahimovic nuk ka vetëm natyra, por edhe personaliteti optimist i suedezit karizmatik si dhe forca e vullnetit.

Dëmtimi i pësuar në muajin prill në ligamentin e gjurit e ka bërë sulmuesin gjigant edhe më të vendosur për t’u rikthyer fitimtar te “Djajtë e Kuq” të Mourinhos.

“Rikthehem për të përfunduar atë që nisa dhe e lashë në mes. Gjithçka që arrita në sezonin e parë, ku fituam tre trofe, do ta çoj më tej. Objektivi im është titulli në Premier League. Ky do të jetë synimi final me Manchester United. Në të vërtetë, kur u dëmtova, fillimisht mendova se do të ishte shumë e lehtë për mua, sepse kurrë nuk kisha pësuar ndonjë dëmtim serioz. Por kur më diagnostikuan, të gjithë nisën të spekulonin se isha shumë i vjetër dhe se karriera ime kishte përfunduar. Arritjet e mia përgjatë viteve u kthyen në një motivim edhe më të fortë për t’i provuar vetes dhe të tjerëve se e kishin gabim. Sfidoj këdo më kapacitetin tim, po ashtu veproj edhe me trupin tim”, deklaroi suedezi”

36-vjeçari, të cilit modestia nuk i ka shkuar kurrë përshtat, deklaron se në vitet e fundit të karrierës së tij futbollistike do ta shohim të dalë nga fusha ashtu siç dhe hyri, ndoshta edhe më i fortë.

“Do të dal nga fusha ashtu si dua unë, edhe më mirë se hyra. Edhe nëse kjo do të thotë që duhet të eci mbi ujë, do ta bëj. E sigurtë është që nuk do të më shohin kurrë duke çaluar”, përfundoi sulmuesi i Manchester United”.

Artikulli paraprakMontella: Ndeshja ndaj Juventusit, pikë kthese
Artikulli tjetërEurope Cup: Sigal Prishtina lider i grupit! Sërish deklasoi ukrainasit e Khimik