Skocia ka qenë një “kockë e fortë” për Kombëtaren U-19 të femrave kuqezi. Jo vetëm për humbjen 11-0, por edhe sipas vetë trajnerit Dede përballë kanë qenë… burra.

“Fjalia e parë që dua të them dhe do ta them në formë shakaje. Ne mundohemi të luajmë me vajza, por përballë kishim burra dhe nuk kishim çfarë t’u bënim. Realisht, ne i kemi në moshën 1999-’00, ndërkohë që ato janë të datëlindjes 1998. Lojtaret tona janë dy vite më të vogla se lojtaret e Skocisë”, ka deklaruar Dede për “Supersport”.

Megjithatë, theksi i fjalës së tij ka qenë për eksodin e futbollisteve të këtij formacioni, të cilat kanë zgjedhur të braktisin Kombëtaren U-19 të Shqipërisë për Kosovën vetëm tri ditë përpara ndeshjes.

Tradhtia

“U ndiem të tradhtuar realisht. Fjalën tradhti e përdor sepse dy ditë para ndeshjes u njoftova që tri vajza nuk do të vinin, të cilat ishin pjesë e jona. Në fakt, ato nuk do të humbisnin asgjë nëse do të luanim me U-19 dhe më pas të zgjidhnin se me cilën do të luanin në Kombëtaren e Madhe, për Shqipërinë apo për Kosovën. Është zgjedhje e tyre dhe nuk i gjykojmë dot, por të paktën të na kishin njoftuar pak kohë më parë. Grupi ynë është realisht i limituar dhe vetëm në momentet e fundit kemi marrë tri vajza të tjera, pa stërvitje dhe pa punuar me grupin. Gjithsesi tradhtia u përket atyre dhe jo neve”, është shprehur trajneri i Kombëtares U-19 të femrave kuqezi.

Ndeshja

Trajneri Dede është ndalur edhe te një lloj analize e takimit. Sipas tij, skuadra që drejton ka vuajtur shumë në prapavijë. Ai thekson se në mbrojtje ka pasur probleme. “Në mbrojtje, realisht që patëm probleme, ndërkohë që në sulm ishim disi më ndryshe. Megjithatë, problemi është sa mundësi kishim për ta çuar topin në atë repart, sepse kur e çonim atje, mundet edhe të rrezikonim. Gjithsesi, nuk duhet të dorëzohemi”, ka vijuar Dede.

Artikulli paraprakMourinho të “shkarkohet” menjëherë!
Artikulli tjetërReal Madridit i largohet një tjetër ‘yll’, ja destinacioni i ardhshëm