SHPËRNDAJE

Honda do të tërhiqet nga Formula 1 në fundin e sezonit të ardhshëm. Partneri motorik i Red Bull-it vendos në këtë mënyrë që të largohet nga bota e Formulës 1, pikërisht në fundin e vitit 2021. Një lëvizje e tillë i shtrëngon drejtuesit e skuadrës austriake për të gjetur një furnitor të ri, por mbi të gjitha duke filluar që nga viti 2022 Formula 1 reduktohet në vetëm tre marka gjithsej, Ferrari, Mercedes dhe Renault. Drejtuesit e Honda-s e justifikuan një vendim të tillë me transformimin e kuptueshëm që është duke pësuar gjithë industria e makinave, për shkak të shkëputjes nga motorët me djegie të brendshme. Për hir të së vërtetës Formula 1 është vërtet shumë e kushtueshme dhe dominimi absolut i Mercedesit, e për rrjedhojë edhe fitoret e mërzitshme të britanikut Lewis Hamilton, në mënyrë të pritshme kanë ulur ndjeshëm interesin për këtë sport.

Shikueshmëria ka rënë në nivele të frikshme për shkak të mungesës së rivalitetit dhe drejtuesit po bëjnë çmos për të reduktuar shpenzimet apo kufizuar buxhetin e skuadrave pjesëmarrëse, madje për të rifituar interesin e dikurshëm krerët e këtij sporti po mendojnë qoftë edhe për zgjidhje drastike, për të ndryshuar krejtësisht radhën e nisjes, duke ndëshkuar në këtë mënyrë pilotët e kreut për të startuar nga fundi, në vijën e nisjes.

Sigurisht që të gjitha këto influencojnë vërtet shumë edhe te kompanitë e mëdha prodhuese, që sakrifikojnë për t’u përfaqësuar në këtë sport, për më tepër gjithçka është duke ndryshuar në fushën e prodhimit të makinave dhe tani të gjithë synojnë të gjejnë shtigje të reja dhe alternativa të tjera për të përmbushur standartet e reja që nevojiten deri në vitin 2050. Në këtë aspekt synohet mbrojtja e ambjentit dhe të gjithë janë përqëndruar në shpikjet e reja teknologjike si dhe gjetjen e burimeve alternative të energjisë, ndërkohë në lidhje me makinat elektrike shumë po punohet gjithashtu edhe për të zhvilluar akoma më tepër kohëzgjatjen e baterive dhe thjeshtuar sa më shumë që të jetë e mundur edhe karikimin e tyre. Pas publikimit të një lajmi të tillë shefi i skuadrës Red Bull Christian Horner deklaroi se te ekipi austriak të gjithë e respektojnë dhe e mirëkuptojnë një vendim të tillë.

46-vjecari anglez shtoi se tani nuk mbetet gjë tjetër, përveçse për të luftuar dhe shtuar përpjekjet, për të siguruar sa më shumë fitore gjatë pjesë së mbetur të kontratës me Honda-n, për vitet 2020 e 2021, sidoqoftë një vendim I tillë nuk cënon interesat e Red Bull-it në Formula 1, pasi muajin e kaluar skuadra austriake ia doli për të zgjatur marrëveshjen me krerët më të lartë të këtij sporti. Ekipi austriak natyrisht është edhe ekipi që preket më shumë nga një vendim i tillë, kështuqë drejtuesit e skuadrës Red Bull duhet të fillojnë të mendojnë që tani për të gjetur një furnitor të ri për vitin 2022. Honda u kthye në Formula 1 në vitin 2015 dhe përjetoi tre sezone shumë të vështirë me ekipin McLaren.

Në vazhdim duke filluar nga viti 2018 kompania japoneze i përqëndroi forcat te skuadra satelite e Red Bull-it Toro Rosso, ndërsa sezonin e shkuar drejtuesit e Honda-s nisën bashkëpunimin me skuadrën austriake. Gjatë kësaj periudhe ekipi Red Bull ka fituar 5 gara gjithsej. 3 fitore u regjistruan vitin e kaluar nga Max Verstappen, që në vitin 2019 triumfoi në Austri, Gjermani dhe Brazil, ndërsa sivjet piloti holandez korri sukses në Silverstone, në Cmimin e Madh të 70-vjetorit, pa harruar gjithashtu edhe fitoren e madhe që siguroi në Itali piloti I skuadrës Alpha Tauri, Pierre Gasly, që u bë njëkohësisht edhe i pari pilot francez që ia del për të fituar një garë në Formula 1 që pas triumfit të jashtëzakonshëm të Olivier Panis në Montecarlo në vitin e largët 1996.

Drejtuesit e Mercedesit më parë kanë refuzuar që të furnizojnë ekipin Red Bull me motorët e tyre, për më tepër marka e famshme gjermane vitin e ardhshëm do të jetë mbështetëse e fortë gjithashtu edhe e tre skuadrave të tjera McLaren, Racing Point dhe Williams, kështuqë mbetet për t’u parë drejtimi që do të marrin në të ardhmen, në këtë sport krerët e skuadrës austriake.

Top Channel