Kjo do të jetë lëvizja më e jashtëzakonshme e merkatos që kur Real Madrid-i i mori Luis Figo-n Barcelona-s në vitin 2000. Dhe viktimë sërish do të jetë klubi katalanas.
Ylli brazilian Neymar bëri shumë bujë kur erdhi në “Camp Nou”. Ai kishte shkuar me idetë e qarta. Do të shkëlqente te blaugranat, edhe pse aty ishte një yll si Lionel Messi. Nga ana tjetër, Barça mburrej se kishte arritur të fitonte garën me klubet e tjera të mëdha, duke marrë një futbollist të kalibrit të brazilianit.
Por katër vjet më pas, situata është më e keqja që katalanasit mund të mendonin.
Ata janë shumë afër humbjes së xhevahirit të tyre, i cili i lodhur nga hija e Messi-t, kërkon një klub ku të ndihet numri 1.
PSG-ja është gati që të paguajë një shifër jashtëzakonisht të lartë, e cila do të thyejë rekordet e transferimit dhe ndryshojë merkaton e futbollistëve.
Drejtuesi i PSG-së, Nasser al-Khelaifi e mban mend mirë se ishte Neymar,-i njeriu që eliminoi PSG-në në sezonin e shkuar në Champions, me rezultatin e përgjithshëm 6-5, me një goditje dënimi, penallti dhe asist në golin e fitores në minutën e 95’.
Në “El Clasico”, ai nuk luaji pasi ishte i pezulluar, por takimi u vendos nga Leo Messi me një gol në të 92’, një tjetër episod për të kujtuar se kush ishte nr 1 në “Camp Nou” dhe se sa e vështirë do të ishte për brazilianin që të ngrihej mbi të.
Ndërsa sezoni i blaugranave përfundoi në dështim, Neymar-i ndjeu se gishti i fajtorit u drejtua për nga ai.
Natën e fitores ndaj parisienëve me rezultatin 6-1, ai shkoi të festonte me pilotin e Formula 1 Lewis Hamilton. Futbollisti 25 vjeçar kishte leje nga klubi, por katër ditë pas festimeve me britanikun, të cilin e bëri shok në verën e shkuar në SHBA, nuk luajti në humbjen e Barçës kundër Deportivo-s për shkak të një dëmtimi.
Loja përkoi edhe me ditëlindjen e motrës së lojtarit, Rafaella dhe u theksua në media se ky ishte viti i tretë që ai nuk luante me ekipin në këtë periudhë kohore.
Përveç miqësisë me Hamilton-in, ai krijoi një lidhje të ngushtë edhe me këngëtarin kanadez, Justin Bieber.
Në fund të sezonit, mediat shkruajtën për një episod, ku ndimëstrajneri Carles Unzue paralajmëroi Neymar-in që të kishte kujdes e mos të përfundonte si një tjetër brazilian i Barçës, Ronaldinho, i cili dallohej për jetën e natës, e cila ia shkurtoi karrierën.
Ka një ide të përgjithshme se në ekip, se 25 vjeçari shikohet si një playboy dhe jo si lider.
Ai duket shumë i lumtur në shoqërinë e Messi-t dhe Suarez-it në stërvitje, e të tre janë të pandashëm.
Por shoqëria nuk ka për t’i munguar as te PSG-ja, ku e presin shokët e kombëtares.
Nuk është rastësi që parisienët bënë një investim të madh, duke ia rrëmber Dani Alves-in Pep Guardiola-s te City.
Prania e tij te PSG-ja, sigurisht që do të jetë një shtysë më shumë për Neymar-in që të vijë, pasi ai do të përpiqet ta bindë sumuesin të ndyshojë ambient.
Neymar-i u ankua shumë e vitin e kaluar dhe kjo solli rinovimin e kontratës deri në 2021.
Edhe lajmet e javës së fundit shkruan për faktin se sulmuesi ndihej jo rehat në ekip, ndërkohë që më pas u publikuan fotografitë, ku ai festonte në brigjet e detit Mesdhe.
Por situata mori kthesë pas lajmit se i ati i tij u nis drejt Paris-it sot në mëngjes që të diskutojë me drejtuesit e klubit. Sipas klubeve të Premier League-s, të interesuara për shërbimet e futbollistit, ai me të vërtetë dëshiron që të largohet.
Kur Barça shiti Figo-n në 2000, ata i shpërdoruan paratë duke blerë emra që nuk sollën sukses si Marc Overmars dhe Emmanuel Petit mes të tjerëve. Ata kanë shansin që të bëjnë jo pak përforcime këtë herë.
Veratti do të ngelet një opsion, ndërsa lojtari i Borussia Dortmund-it, Ousmane Dembele apo talenti i Monaco-së, Kylian Mbappe shikohen si zëvenësuest direktë të brazilianit.
“Asnjë nuk është më magjik sesa Neymar-i”, tha ish trajneri i Barca-s, Luis Enrique dikur.
Barcelona do të mbrohet duke thënë se Messi ka më shumë magji në këmbët e tij në moshën 30 vjeçare, sesa pretendenti i ri.
Dhe pikërisht kjo është arsyeja se përse Neymar-i është shumë pranë largimit për në “Qyetin e Dritave”