Ekipi i dytë i Barcelonës, që militon në kategorinë e tretë spanjolle, Barcelona B regjistroi fitoren më të thellë në historinë e saj, duke shkatërruar Eldensen me rezultatin 12-0.

Por për këtë ndeshje janë ngritur hije dyshimi. Madje, një prej futbollistëve të Eldenses nuk ngurroi të bëjë një denoncim ndaj 4 prej shokëve të tij të skuadrës.

Bëhet fjalë për Cheikh Saad, i cili në një intervistë për median spanjolle foli për mundësinë e shitjes së sfidës me katalanasit nga ana e skuadrës së tij, drejtuesit e së cilës deklaruan tërheqjen e përkohshme nga kompeticionet.

“Janë 4 futbollistë të përfshirë në këtë shitje ndeshjeje, – thotë Saad. – Nuk më intereson se çfarë do të ndodhë, por kur të vijë momenti do të bëj të ditur edhe emrat e tyre. Në dhomat e zhveshjes, për pak sa nuk u zura me grushte me ta. Gjysmë ore përpara fillimit të ndeshjes isha në formacionin bazë, por më pas më hoqën. Njërit prej lojtarëve iu tha se ndeshja ishte e shitur dhe se, nëse ai donte të luante, duhej të lejonte kundërshtarët të shënonin, diçka që mua nuk ma thanë. Jam i sigurtë se trajneri di diçka për këtë”.

Cheikh Saad përjashtoi në mënyrë kategorike në këtë çështje, përfshirjen e futbollistëve të Barcelona B, duke theksuar ata bënë detyrën e tyre në fushën e lojës, duke shënuar golat e sfidës.

/ Top Channel

Artikulli paraprakLargohet nga Paris SG , ndërsa pritet të kaloi në Serie A
Artikulli tjetërA e dini si e mori Cristiano Ronaldo numrin 7 tek Manchester United?