Skuadra e rrezikuar Trepça ishin më afër se kurrë të mposht Prishtinën në duelin e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, pasi epërsia e tyre pas supergolit të Enis Zabërgjës qëndroi deri në minutën e 90. kur fillimisht pas penalltisë së dyshimtë e më pas edhe goli të shënuar në minutën 101, i dhanë tre pikë shumë të kontestushme dhe “pa meritë” kryeqytetasve.
Pas ndeshjes trajneri i Trepçës, Fidaim Haxhiu, shpërtheu para mikrofonit të Supersport Kosova. “Kjo çfarë ka bërë sot Gramoz Shala është marre. Është larg gjyqtari më i dobët në Kosovë. Dikujt po i pengon Trepça në Superligë, dhe nuk është hera e parë që referohet kundër nesh në këtë mënyrë. T’iu them të drejtën jemi mësuar me referim tendencioz, por po më dhimbsen djelmoshat sepse ata vrapuan dhe e dëshiruan fitore. Besoni kanë filluar të qajnë pas kësaj që ndodhi nga lojtarët 17, 18 vjeçar. Janë ata që po i vjedhet mundi dhe djersa për fitore”, ishin vetëm disa fjalët e Haxhiut që nuk mundi të pajtohej për humbjen e tillë në minutat shtesë dhe një penalltie që për të nuk ka ekzistuar fare.