Manchester City dhe Manchester United do të përballen sërish kokë më kokë gjatë merkatos së kësaj vere për të siguruar shërbimet e dy yjeve të Borussia Dortmundit, Julian Weigl dhe Christian Pulisic. Në të vërtetë, një nga prioritetet kryesore të trajnerit të “Qytetarëve”, Pep Guardiola është të nënshkruajë me një mesfushor të ri që luan në qendër, me qëllim që të zëvendësojë Fernandinho, pasi kërkon një alternativë cilësore për brazilianin. Ylli i Shakhtar Donetsk, Fred ishte një ndër opsionet e perferuara për trajnerin spanjoll, por tani duket, se ai ka më shumë gjasa të bashkohet me rivalët e tyre të qytetit. Shakhtar nuk dëshiron ta lirojë 25-vjeçarin për më pak se 60 milionë euro, një shumë që trajneri Guardiola beson të jetë e paarsyeshme. Fred ka spikatur gjatë këtij edicioni, ndërsa performancat e tij në Champions League kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në Evropë, mes tyre edhe të City & United.
Weigl vlerësohet maksimalisht nga Pep dhe spanjolli është gati të kënaqë drejtuesit e Dortmund. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se drejtuesit e Barcelonës dhe Bayern Munchen kanë qenë të lidhur me një lëvizje për mesfushorin gjerman, nuk ka garanci se ai do të shkojë në Angli, vetëm nëse gjiganti i Premier League bën një ofertë konkrete dhe të rëndësishme. Ndërkohë, Pulisic është një nga talentet më premtues në futbollin botëror, me Bayern Munchen që po e monitoron progresin e tij. Ende vetëm 19 vjeç, tashmë ai është cilësuar si lojtari më teknik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri më tani në këtë sezon 19-vjeçari ka grumbulluar 29 ndeshjen me fanellën e Borussia Dortmund në kampionat, prej të cilave 24 si titullar, ndërsa ka shënuar edhe katër gola. Gjithashtu ai është aktivizuar edhe në Champions League në pesë ndeshje, si dhe një në Kupën e Gjermanisë. United dhe City janë hedhur në sulm edhe për të siguruar shërbimet e tij.