Në “Olimpiyskiy Stadium” të Kievit, në 20:45 merr jetë ndeshja më e madhe në historinë e klubeve për këtë vit që do të diskutohet mes kampionëve në fuqi të Real Madrid dhe pesë herë fituesve të këtij trofeu Liverpool.

Real Madrid u kualifikua për në finale pasi mundi me rezultat të përgjithshëm 4-3 Bayern Munchen, ndërsa Liverpool u kualifikua me fitoren 7-6 ndaj Romës në dy ndeshje me shumë spektakël dhe gola.

Spanjollët kërkojnë të vendosin rekord duke fituar të tretin Champions radhazi dhe të 13-in në historinë e tyre, ndërsa Liverpool kërkon të kthejë lavdinë në Angli pas 13 vjetësh që nga finalja e Stambollit ndaj Milan.

Liverpool ka sulmin më të frikshëm me 29 gola të shënuar nga Salah, Mane dhe Firmino, ndërsa në total kanë shënuar 40 gola, duke e bërë ekipin që ka shënuar më shumë gola këtë sezon në Champions.

Nga ana tjetër Real Madrid ka një shtrirje tjetër me Ronaldon që ka shënuar i vetëm 15 gola, ndërsa rrugën e rrjetës e kanë gjetur 10 lojtarë të ndryshëm.

Formacionet e mundshme:

Ekipi fitues i kësaj ndeshje përveç të ardhurave për klubin do të ketë mundësi të ngrejë në ajër “Veshëmadhen”, kupa e cila ka marrë këtë emër për shkak të formës së saj. Ndërsa në 15 gusht do të luajnë në finale të Superkupës ndaj Atletico Madrid në stadiumin “Lillukula” të Tallin, në Estoni.

Fakte dhe statistika

 Zinedine Zidane mund të bëhet trajneri i parë që fiton tre herë radhazi Champions League
 Asnjë nga lojtarët aktual të Liverpool nuk ka luajtur në një finale Championsi
 Në 18 nga 24 finalet e mëparshme ekipi që ka shënuar i pari ka triumfuar në fund
 Por tre nga katër golat më të shpejtë të shënuar (para minutës së gjashtë) janë përmbysur shifrat në fund
 Cristiano Ronaldo mund të bëhet lojtari i parë që fiton këtë trofe 5 herë
 Jurgen Klopp ka humbur 5 finalet e fundit si trajner
 Sergio Ramos ka fituar me Spanjën Euro 2012 pikërisht në këtë stadium
 Real Madrid i ka fituar 6 finalet e fundit, humbja e vetme daton në vitin 1981
 Në përballjet direkte Liverpool ka fituar 3 herë duke shënuar 6 gola, ndërsa Real Madrid ka 2 fitore me 4 gola të shënuar kundër “Të Kuqve”, asnjë ndeshje nuk ka përfunduar në barazim mes tyre.

“Olimpiyskiy Stadium” është ndërtuar në 1923, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1980. Pamja aktuale i është dhënë në vitin 2012, stadium në të cilin u mbajt finalja e Euro 2012. Stadiumi ka kapacitet deri në 70.000 vende.

Arbitër kryesor në këtë ndeshje do jetë serbi Milorad Mazic, po ashtu edhe katër ndihmësit e tij janë serb, ndërsa arbitri i katërt do jetë francezi Clement Turpin.

Ndërkohë ambasador nderi për këtë ndeshje do të jetë ish-sulmuesi i Milan, Andriy Shevchenko, i cili ka luajtur më parë në një finale Championsi pikërisht kundër Liverpool.

Para fillimit të eventin do të performojë këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, e cila u shpreh tepër e lumtur për këtë mundësi që iu dha dhe është përpjekur të sjellë sa më shumë vajza në skenë, në një sport që dominohet nga meshkujt. Këngëtarja theksoi se bën tifo për Liverpool dhe parashikoi se ndeshja do të dalë 3-2 për ekipin anglez.

Artikulli paraprakTrajneri i Danimarkës “tallet” me Paul Pogban
Artikulli tjetërDisa Histori të çuditshme të “luanëve” në finalen e Kievit