Sot në Drenas, në ambientet e klubit KF Feronikeli kanë qëndruar menaxherët e akademisë së klubit të madh futbollistik italian, A.C Milan.
Menaxherët e akademisë “Milan Junior Camp”, Stefano Falghera dhe Massimiliano Sopranzi, vizituan klubin tonë me qëllim të bashkëpunimit në mes akademisë së futbollit “Milan Junior Camp” dhe shkollës së futbollit të KF Feronikelit.
Për këtë vizitë bërë Feronikelit, foli menaxheri gjeneral, Stefano Falghera. Ai deklaroi: “A.C Milan është për herë të parë në Kosovë. E them këtë pasi që kam dëgjuar se edhe më parë në emër të A.C Milanit ka folur dikush këtu në Kosovë. Nuk jemi rastësisht këtu në Drenas, në klubin tuaj. Ardhja jonë këtu vjen pas sugjerimeve që morëm për ju si një klub serioz dhe mirë i organizuar. Qëllimi i kësaj vizite ka të bëjë me mundësinë e bashkëpunimit mes akademisë sonë, “Milan Junior Camp”, dhe akademisë “KF Feronikeli”, raporton skuadra në facebook.
Në anën tjetër, presidenti i klubit, z. Ekrem Elshani, i falenderoi përfaqësuesit e klubit italian për vizitën dhe zgjedhjen e KF Feronikelit nga ana e klubit të madh italian A.C Milan për bashkëpunim dhe ndër të tjera, Elshani tha: “Për klubin e Feronikelit është nder dhe privilegj që një klub i madh e me traditë, siç është A.C Milan, të na vizitojë dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim”.
Të dyja palët u dakorduan që t’i shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit në mes dy klubeve.

Artikulli paraprakEdhe Bashkimi përshëndetet nga Balkan League
Artikulli tjetërRetro: Nuk është ndonjë arenë evropiane, por “Adem Jashari” dhe goli i legjendës Elvis Osmani në vitin 2010 [VIDEO]