Autor: Lirim Peci

Në start në merkatos dimërore ndoshta nuk është pritur që Trepça 89′ të jetë kaq aktive, pasi në ekip ka sjellë futbollistë tepër cilësorë.

Në bazë të cilësisë që ka pasur në ekip gjatë stinorin vjeshtor dhe përforcimeve të nivelit mjaftë të lartë me futbollistë si Enis Mangjolli që erdhi nga rivali lokal Trepça, sikurse Bujar Rama e Hasan Hyseni apo Demir Avdiç nga Zlatibor, Argjend Mustafa nga Skënderbeu dhe Amir Bilalli nga KF Bylis, e bëjnë ekipin e drejtuar nga Zekerija Ramadani favoritin kryesor për të fituar titullin kampion në futbollin kosovar gjatë këtij edicioni.

Në fakt, Trepça 89′ që nga paslufta e këndej ka qenë një nga skuadrat më të mira në Elitën e futbollit kosovar, por asnjëherë nuk ka arritur të fitojë titullin edhe pse gjithmonë ishte lart në renditjen tabelare.

Puna e jashtëzakonshme nga zyrtarët e Trepçës 89′, dhe vendosshmëria e tyre për të krijuar një ekip të fuqishëm, në mënyrë që të synojë seriozisht titullin e kampionit, ka krijuar një iluzion tek tifozët e zjarrtë mitrovicas se ndoshta Trepça 89′ do të jetë skuadra e parë kosovare që do të përfaqësojë shtetin tonë në garat evropiane.

Kampionati është i gjatë, por duke parë rrjedhën e merkatos dimërore të skuadrave tjera elitare, Trepça 89′ së bashku me Llapin me siguri do ta thonë fjalën kryesore në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Artikulli paraprakKrisen marrëdhëniet, ‘SPORT’: Ronaldo largohet nga Real Madrid
Artikulli tjetërOrari i garave në stinorin pranveror