Manchester United e bën dramë transfertën në Turqi ndaj Galatasarayt. Në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të Champions League, “Djajtë e Kuq” barazuan me shifrat 3-3. Edhe pse ishin në avantazhin e dy golave pasi gjetën rrugën e rrjetës me anë të Garnachos dhe Fernandez brenda 18 minutave të para, sërish mbrojtja anglezëve “futi ujë”. Ziyech shkurtoi diferencat me një goditje dënimi që Onana nuk mundi ta ndalë me kamerunasin që lëvizi para kohe.

Megjithatë, në fraksionin e dytë, United shënoi të tretin me McTominay dhe u duk se tre pikët ishin të sigurta. Por, pasiguria e Onanas u shfaq sërish dhe po në një goditje dënimi të ekzekutuar nga Ziyech. Këtë herë gafa e portierit ishte edhe më flagrante. Atmosfera u ndez në tokën turke dhe vendasit gjetën edhe golin e barazimit pas një goditje të bukur nga Akturkoglu.

Manchester United provoi të shënonte sërish, por fati dhe kundërshtarët nuk e lejuan. Pas këtij barazimi, United mban vendin e fundit në grup me katër pikë, po aq sa edhe Copenhagen.

Ndërkohë, Galatasaray ngjitet në vendin e dytë me pesë pikë. Grupi kryesohet nga Bayern Munich me 12 pikë. Në ndeshjen e fundit, United luan ndaj Bayern Munich në shtëpi ndërsa Galatasaray në transfertë ndaj Copenhagen, por tashmë asgjë nuk varet më nga Djajtë e Kuq.

Në ndeshjen tjetër të Champions League, atë të Grupit B mes Sevilla dhe PSV, fitues dolën holandezët me rezultatin 2-3. Spanjollët ishin në avantazhin e dy golave, por u përmbysën në fraksionin e dytë pas daljes me të kuqe edhe të Ocampos e tashmë nuk kanë më shans për kualifikim.

Artikulli paraprakFormacionet zyrtare: Real Madrid-Napoli
Artikulli tjetërPrizreni mposhti Pejën në “Karagaq”