Valencia nuk ka pritur fundin e sezonit për të shkarkuar trajnerin Javi Gracia, pasi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin menjëherë pas humbjes 2-3 në “Mestalla” ndaj Barcelonës, teksa lajmin e dha nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të klubit.

Tekniku që dy ditë më parë festoi ditëlindjen e tij të 51-të, mori drejtimin e Valencias më 27 korrik të vitit të kaluar, por nuk arriti të mbyllë një sezon të plotë në pankinë, pasi skuadra vuajti jo pak në marrjen e rezultateve, duke qenë vazhdimisht në luftë për mbijetesë.

Aktualisht Valencia pozicionohet në vendin e 14 me 36 pikë, 6 pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund, vështirë se do të rrezonte, megjithatë drejtuesit e klubit janë treguar të paduruar për të ndërprerë bashkëpunimin me Gracian, nisur edhe nga fakti që në 6 ndeshjet e fundit skuadra ka marrë vetëm tre pikë.

Ky i fundit drejtoi Valencian në 38 ndeshje këtë sezon, duke regjistruar 11 fitore, 12 barazime dhe 15 humbje, ndërsa gjatë karrierës si trajner ka drejtuar edhe klube si Watford, Rubin Kazan, Malaga, Osasuna, etj.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here