Dita e madhe për Milanin po vjen pasi raportet e fundit konfirmojnë se Pierre-Emerick Aubameyang ka hequr kërkesat e majme financiare për të kompletuar një lëvizje të bujshme drejt “San Siros”.
Sulmuesi i Borussia Dortmund ka qenë i lidhur ngushtë për një rikthim tek Milani, pasi ka refuzuar ofertën e klubit kinez Tianjin Quanjian me vlerë 30 milionë euro në sezon, shkruan “Football-Italia”.
E përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” raporton se Aubameyang ka ulur kërkesat e tij pasi më parë i ka kërkuar Diavolos një pagë 13 milionë euro në sezon.
Por negociatat kanë ndikuar pozitivisht dhe Aubameyang ka rënë dakord me Milanin për një pagë me vlerë 8 milionë euro në sezon, ndërsa tashmë pritet vetëm finalizimi nga Dortmundi.
Nëse konfirmohet, Aubameyang do bëhet lojtari më i paguar në Serie A duke mposhtur sulmuesin e Juventusit, Gonzalo Higuain që përfiton 7.5 milionë euro/sezon.