E bukura e futbollit qëndron në paparashikueshmërinë e lojës. Një magji të cilën as paratë nuk mund ta blejnë. Por a është kjo ende e vërtetë? Për të dytin vit radhazi, “Finance Football” publikon pagat më të larta në Kinë. Dhe sërish, shifrat e statistikat janë të tilla sa për të lënë këdo me sytë e shqyer e gojën e hapur, duke dëshmuar se spektakli i futbollit është në mëshirën e parave.
Nëse vitin e kaluar Lavezzi shkaktoi sensacion me pagën e tij prej 14 milionë euro, këtë edicion, steak është ngritur në stratosferë. Po, praktikisht Kina dhe kinezët po blejnë futbollin. Ata po paguajnë aq shumë sa që Pekini që tani po konsideron vendosjen e një page kufi në industrinë kineze të futbollit që po shpërthen, pas një sërë çmendurish në merkato.Carlos Tevez te Shanghai Shenhua për pagën vjetore prej 37.5 milionë euro.Argjentinasi Carlos Tevez është vetëm blerja më e fundit, por njëherësh edhe me pagën më të lartë të caktuar ndonjëherë për një futbollist, në të gjithë historinë e futbollit, shumë më shumë se Messi e Ronaldo.
Në moshën 32-vjeçare, argjentinasi braktisi klubin e tij të zemrës, Boca Juniors, për tu bashkuar me Shangai Shenhua, për një shumë të çmendur, plot 37.5 milionë euro në vit, për tu bërë kështu absolutisht më i paguari në botën e futbollit. Oscar te Shanghai SIPG me pagë vjetore 24.4 milionë euro.
Braziliani Oscar, i mbërritur edhe ai gjithashtu këtë merkato dimri te Shanghai nga Chelsea. Edhe ai gjithashtu u largua nga kryeqyteti i Anglisë, Londra, për në lindjen e largët, për një shumë prej 24.4 milionë euro në vit, duke u bashkuar me ekipin e Shanghai SIPG, duke parakaluar në listën e më të paguarve në futbollin kinez, bashkëpatriotin dhe shokun e ri të ekipit, Hulk, në aventurën e tij të re në Super Ligën kineze.
Lista me 20 futbollistët më të paguar në Super Ligën kineze për vitin 2017.Një tjetër aventurë në novelën me kinezët e çmendur por të dyndur në para është edhe ajo e Axel Witsel. Futbollisti i përfaqësueses së Belgjikës, ish-lojtar i Benfica, u largua nga ekipi rus i Zenit St.Petersburg për tu bashkuar me Tianjin Quanjian. Ai është vetëm 27 vjeç, por futbollisti i përfaqësueses belge duket se ka nisur të mendojë që herë për thesin e tij të parave.
Një transferim ky që ja ka vlejtur, me Witsel që arkëton plot 16 milionë euro në vit. Në raport me pjesën tjetër të listës, asgjë tjetër nuk përbën më lajm. Shumica e tyre janë paga të papërballueshme për klubet europiane, madje edhe për skuadrat më elitare në botë dhe për vetë futbollistët më të mirë aktualisht. Në total, lista me 20 futbollistët më të paguar në Kinë për vitin 2017 ka një shumatore prej plot 245 milionë euro, me një mesatare prej rreth 12.25 milionë euro për futbollist në vit. /telesport.