Nico Rosberg do të niset i pari të dielën në garën për Çmimin e Madh të Hungarisë. Në provat zyrtare të ditës së sotme, gjermani ka dalë i pari me kohën më të mirë 1 minutë, 19 sekonda dhe 965 të qindat, duke lënë pas shokun e skuadrës Lewis Hamilton.

“Ishte një sesion mjaft sfidues. Në fund ishte e mrekullueshme kur dola i pari. Bëra një xhiro të mirë, fantastike. Jam shumë i gëzuar”, tha Rosberg në përfundim të sesionit.

Piloti tjetër i “Mercedes”, Hamilton arriti kohën 1 minutë, 20 sekonda dhe 108 të qindat, duke zënë vendin e dytë, i ndjekur nga Ricciardo me “Red Bull”, që u vonua 172 të qindat më shumë.

Kampioni në fuqi u tregua gjysmë sekondë më i shpejtë se të gjithë në sektorin e parë, por rinisja e Fernando Alonso e kapi në befasi dhe e detyroi të ngadalësonte. Megjithatë, britaniku u shfaq i qeshur në foton e përbashkët me Rosberg dhe Ricciardo për gazetarët.

“U ndjeva mirë në xhiron e fundit dhe isha katër të dhjetat më sipër. Nuk pata fat me Fernandon, por janë gjëra që ndodhin. Megjithatë, kemi ende një garë të gjatë përpara dhe në të do të jap maksimumin”, tha Hamilton.

I katërti do të niset piloti tjetër i “Red Bull”, holandezi Verstappen, i cili kapi kohën 1:20.557. “Ferrari” vazhdon të mos jetë në formën më të mirë, me Vettel që do të kënaqet vetëm me vendin e pestë, me kohën 1:20.874.

Artikulli paraprakF1 në Gjermani, Mick Schumacher i ftuar special. Vettel: Të mos rreshtim së besuari
Artikulli tjetërFormula 1, Rosberg më i shpejti në provat e lira