Skuadra e Montellas pritet të zbresë në fushë me formacionin që mundi Craiovën. Ndryshimet e vetme priten në repartin difensiv ku Bonucci do të zërë vendin e Cristian Zapatas dhe në sulm mendohet t’i besohet Andre Silvas pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalon i riu Cutrone.
Në mesfushë trajnerit do t’i duhet të zgjedhë midis njërit mes Locatelli dhe Montollivo nëse vendos të hedhë në fushë anësorin Suso dhe turkun Çalhanoglu.
Te kuqezinjtë tetovarë gjithashtu nuk ka shumë befasi me trajnerin Osmani që pritet të mos ndryshojë as skemën dhe as interpretuesit. Cuculi duhet të rikthehet në qendër të mbrojtjes pas pezullimit të shlyer ndaj Trakait, ndërsa të skualifikuarin Junior pritet ta zëvendësojë Besart Abdurrahmani. Ibraimi do të mbajë i vetëm peshën e sulmit dhe në ndihmë të tij pritet të vendoset treshja Abdurrahimi, Hasani dhe Radeski.
/Panorama Sport