Florent Osmani u largua nga ekipi i futbollit Skopje për arsye fetare. Këtë e pranon edhe vetë futbollisti shqiptar, teksa thotë arsyen:
“Emblema e Skopjes ka një kryq që unë e kam mbuluar gjithmonë në mënyrë që të mos jetë i dukshëm. E bëja këtë gjë për arsye besimi. Për këtë arsye, të gjithë më shikonin në mënyrë të çuditshme dhe me kalimin e kohës nisën të më injoronin fare, pavarësisht faktit se unë erdha si një përforcim i bujshëm”.
Për shkak të sjelljes së tij, por edhe të të tjerëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur që kontrata e tij të përfundojë në mënyrë të parakohshme, por në marrëveshje dypalëshe. Kështu, tani, pas 17 ditësh, Osmani është një futbollist i lirë, pa skuadër.
“Bordi drejtues më ftoi në një takim dhe më komunikoi se veprimi im nuk ishte i rregullt dhe, nëse dëshiroja të isha pjesë e këtij klubi, atëherë nuk duhej të mbuloja më emblemën. Unë jam një mysliman praktikant dhe feja ime, Islami, nuk ma lejon një gjë të tillë. Unë kam mbuluar gjithmonë vetëm kryqin dhe jo të gjithë emblemën. Por, meqenëse ata më ndalojnë të bëj atë gjë, unë vendosa të largohem nga klubi, sepse për mua, feja është gjëja më e shenjtë”, deklaroi Osmani