Një fitore me aromë titulli për Partizanin. Një hap më tepër drejt objektivit të ëndërruar për 24 vjet. Suksesi 1-0 përballë Skënderbeut i dha besim, madje nga adrenalina e fitores u përfshinë edhe presidenti Demi dhe trajneri Starova që zakonisht qëndrojnë shumë të balancuar.

Rruga drejt titullit u vendos nga një perlë e Idriz Bathës.

Një gol që nuk vlen thjesht fitoren dhe 3 pikë, sepse të kuqtë kthehen në krye të renditjes përkrah Kukësit, por mbi të gjitha nxjerrin nga gara rivalët e Skënderbeut.

Skuadra e Starovës triumfoi në përballjen spektakolare në “Selman Stërmasi”, ku në minutat e para vuajti presionin e kundërshtarëve, që fillimisht shpërdoruan një shans të shkëlqyer me Hamdi Salihin.

Përveçse një ndeshje e bukur prej futbollit të fort të luajtur në fushë, që hera herës u shoqërua me pretendime nga të dyja skuadrat supersfida prodhoi edhe momente të klasit të lart, si aksioni dhe goli i realizuar nga Batha.

Por, ndërsa Partizani shfrytëzoi mundësinë e vetme të mirë të krijuar në pjesën e parë, Skënderbeu shpërdoroi sërish përpara pushimit ndërmjet pjesëve, me Salihin që gaboi gjithçka në të 44-tën.

Skënderbeu provoi pa sukses të gjente golin edhe me mbrojtësit Jashanica dhe Radas që ishin të pasaktë në tentativat e tyre, ndërsa në mes Emiljano Vila provoi të mbante të kuqtë në sulm.

Me Partizanin që u tërhoq në mbrojtje të rezultatit, duke i lënë fushën rivalëve, Skënderbeu krijoi mundësitë më të mira për shënim. Në harkun e pak sekondave Ogunzhimi nuk shfrytëzoi dy raste të mira për shënim, me belgun që gaboi në finalizim.

Duke përfituar nga hapësirat e lëna nga korçarët që u hodhën në sulm, Partizani mund të kishte mbyllur sfidën në të 84-tën, por traversa i prishi festën Çetkoviç.

Në anën tjetër, mbrëmja negative e Salihit u konfirmua nga dy raste të tjera të pashfrytëzuara, me bomberin shkodran që i vetëm me portën nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.

Partizani falënderoi dhe në fund mori një fitore që e barazon me Kukësin në kuotën e 55 pikëve në krye të renditjes. Në anën tjetër Skënderbeu pësoi humbjen e parë për vitin 2017 në kampionat dhe tashmë e sheh veten 5 pikë larg rivalëve për titull.

Raporti: Supersport.al

Artikulli paraprakKjo është e vërteta nga Gjakova
Artikulli tjetërNadal ku je? Federer brenda dy javësh mposhti spanjollin dhe fitoi trofeun e 91. në karrierë