Federata e Basketbollit e Kosovës është fare pranë marrëveshjes me Federatën e Basketbollit të Sllovenisë lidhur me dy basketbollistët kosovarë me pasaportë sllovene, Erjon Kastrati e Gëzim Morina.
FBK-ja po angazhohet që Kastratin e Morinën t’i bëjë pjesë të përfaqësueses së Kosovës. Që kjo të realizohet duhet pajtueshmëri e Federatës sllovene, që po kërkon dëmshpërblim për të liruar të dy lojtarët.
Në fakt, Federata sllovene e bëri të mundur vite më parë që Kastrati e Morina të pajisen me pasaporta të Sllovenisë dhe kështu të fitojnë të drejtën të luajnë për këtë vend.
Dy lojtarët, karrierën e kanë nisur në Kosovë, por janë zhvilluar në klube sllovene, fillimisht tek Union Olimpija. Në kampionatin slloven vazhdojnë të luajnë ende./koha.net