Shtegu i lagur nga reshjet e dendura kanë krijuar kushte jo normale për zhvillimin e një gare në Interlagos në Çmimin e Madh të Brazilit, duke sjellë disa herë ndërhyrjen e makinës së sigurisë në garë dhe ndërprerjen më pas për disa minuta të saj.

Tre pilotë kanë humbur kontrollin e janë përplasur me muret mbrojtëse. I pari që ka dalë jashtë Grosjean, më pas Ericsson dhe Raikkonen. Pas aksidentit të Raikkonen pak metra larg vijës së finishit të xhiros së 20, u vendos ndërprerja e përkohshme e garës që rinisi pasi u qetësuan reshjet e shiut dhe pista u pastrua.

Piloti tjetër i Ferrarit, Vettel ka reaguar fort ndaj vendimit të komisarëve të garës për të vijuar normalisht pas incidentit të Ericsson.

“Është çmenduri, nuk mund të vijohet në këto kushte. Duhet të ndërpritet gara”, ka deklaruar Vettel, pak para se shoku i tij i skuadrës të humbte kontrollin e makinës në një pjesë të drejtë duke u përplasur me të dy muret mbrojtëse të shtegut.

Pasi ka rinisur gara, ndërsa në pistë ishte ende makina e sigurisë, një tjetër pilot është aksidentuar, Palmer i Renault ka përplasur një makinë tjetër duke dëmtuar gomën e përparme të tij, çka ia ka bërë të pamundur vijimin më tej në pistë.

Pas 7 xhiro me makinën e sigurisë në pistë është vendosur sërish ndërprerja e garës dhe pas disa minutave jashtë piste u vendos që makinat të rikthehen në garë.

Artikulli paraprakFillon “gjahu” i Mourinho-s në kryeqytetin spanjoll
Artikulli tjetërMourinho kërkon yjet e Atletico Madrid